Tifozët e Partizanit të Serbisë e patën shumë të vështirë të përballonin humbjen më të rëndë nga Crvena Zvezda në shtëpi dhe shkaktuan një skandal pas përfundimit të derbit të 174-të.

Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, disa nga tifozët më të zjarrtë hynë në dhomën e zhveshjes dhe sulmuan futbollistët dhe stafin e Partizanit. Një situatë e tillë u ndje edhe kur trajneri kundërshtar, Milojeviç, po jepte një deklaratë për televizionin, pasi papritur e ndërpreu fjalimin dhe doli drejt ekipit të tij.

Informacionet nga Beogradi thonë se në dhomën e zhveshjes ka pasur xhama të thyer, disa futbollistë të Partizanit janë lënduar, ndërsa më keq e ka pasur trajneri Aleksandar Stanojević, i cili kishte lëndime mbi sy dhe nëpër hundë. Në konferencën për shtyp pas ndeshjes, ai tha se lëndimet janë nga xhamat e thyer në dhomën e zhveshjes, por dëshmitarët thonë se pranë tij është hedhur një fishekzjarr plasës.

Tifozët e Partizanit gjatë ndeshjes kërkuan dorëheqjen e Stanojeviç, të zemëruar nga lojën katastrofike dhe rezultatin.