Hyn në fuqi Ligji për praktikat e padrejta të tregtisë, me të cilin në mënyrë shtesë duhet të ulen çmimet e rreth 2500 produkteve ushqimore. Ligji parasheh kufizim të marzhës së fitimit deri në 10 për qind, ndërsa përveç kësaj, tregtarët nuk duhet të paguajnë shpenzime shtesë për prezantim si dhe për nxjerrjen në pah të një produkti të caktuar në një raft. Në rast se shkelet ligji, parashihen dënime deri në 20 mijë euro. Qytetarët thonë se gjatë blerjeve të bëra sot nuk kanë hasur dallim të madh në çmime. Disa prej tyre thonë se kanë vërejtur një ulje shumë te lehtë, ndërsa të tjerët ankohen se çmimet janë të njëjta.
“Në disa markete ka, mendoj ka edhe disa shenja, aty ku kam qenë ka ulje. Tani sa është ulja, varet prej marketeve. A ka ulje? Ka, tani e konfirmova, ka në disa produkte”, tha një qytetar.
“Tani sa kam dal, nuk e kam vërejtur, por nuk besoj se ka ulje. Sepse ato që ishin me çmim më të ulët, kundrejt marzhës i shtrenjtuan, vaji, peshqit, e kështu me radhë. Nuk është ulur asgjë, 33 denarë ishte buka, 32 është tani, as nuk vërehet”, tha një tjetër qytetar.
“Jo, nuk ka ulje, gjithçka vetëm shtrenjtohen”, theksoi një qytetar.
“Siç e kam vërejtur nuk ka asgjë, domethënë asgjë. Nuk ka ndryshim. Isha në tregun e gjelbër çmimet ishin të njëjta, nuk ka ndryshim aspak, kjo është katastrofë”, shtoi një qytetar.
“Çmimet janë të njëjta, qëndrojnë normalisht, kështu që nuk ka ndonjë efikasitet nga masat momentalisht”, tha një qytetar.
“Ashtu njëjtë, nuk kishte asnjë dallim, ato që i kam blerë tani, i kanë çmimet e njëjta që i kishin më parë, njësoj”, shtoi një qytetar.
“Unë jetoj jashtë, për çmimet, ka disa çmime që këtu janë më të shtrenjta e atje janë më lirë….03:20 Dallimi me atje, këtu është më shtrenjtë”, u shpreh një qytetar.
Sipas Ministrisë së Ekonomisë, shuma më e madhe e dënimit për një tregtar të madh mund të shkojë deri në 20 mijë euro dhe prej 350 deri në 500 për personin përgjegjës. Për shkeljet më të vogla parashihet dënim prej 5 mijë deri në 6 mijë euro për një tregtar të madh dhe 350 deri në 500 euro për personin përgjegjës në personin juridik i cili është tregtar i madh./Alsat.mk