“Me rëndësi të madhe për zhvillimin, para së gjithash për inovacionet në Maqedoninë e Veriut, është Strategjia për specializim të mençur, e cila është e fokusuar në zhvillimin e ekonomisë në bazë të inovacioneve”, tha ministri i Ekonomisë dhe Punës Besar Durmishi në takimin ministror për Agjendën e BE-së për Ballkanin Perëndimor për inovacione, hulumtim, kulturë, rini dhe sport, që sot po mbahet në Shkup.

Në panelin e diskutimit në të cilin flitej për hulumtim dhe inovacione, ministri Durmishi theksoi se rolin kyç në zhvillimin e strategjisë, që nga vetë fillimi e kanë luajtur Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Ministria e Ekonomisë si dhe disa ministri të tjera, institucione, oda ekonomike, akademia dhe përfaqësues të sektorit të biznesit.

“Në periudhën e ardhshme vijon formalizimi i strukturës udhëheqëse, ku në nivelin më të lartë do të formohet komitet për specializim të mençur, inovacione dhe sipërmarrësi. Ky komitet duhet të sigurojë koordinimin e politikave në nivelin më të lartë, ku prioritet është forcimi i konkurrentësisë dhe novatorizmit të sektorit të biznesit, zhvillimi i shkathtësive, zhvillimi i shkencës, ndërkombëtarizimi”, tha Durmishi dhe theksoi se Ministria e Ekonomisë dhe Punës ka rol aktiv në krijimin e masave për të mbështetur konkurrentësinë e sektorit të biznesit. Këto ditë, ajo do të shpallë thirrje të dytë për bashkëfinancimin e projekteve në heliks të katërfishtë për specializim të mençur, transformim të gjelbër dhe digjital.
“Përvojat nga thirrja e parë pilot treguan se edhe akademia edhe biznesi kanë shfaqur interes dhe gatishmëri të madhe për të bashkëpunuar, se ka kapacitete, shkathtësi, njohuri dhe vizion për zhvillim. Ministria e Ekonomisë dhe Punës mbetet partner i rëndësishëm në zbatimin e strategjisë, e cila duhet të rezultojë në rritjen e konkurrentësisë dhe zhvillimit”, tha Durmishi, duke shtuar se sfidë paraqet edhe qasja në financimin.

“Për dallim nga vendet e BE-së që kishin qasje në fondet kohezive, fondet e posaçme për financimin e projekteve novatore, burimet tona të financimit janë mjaft të kufizuara. Ministria e Ekonomisë dhe Punës mbetet partner i rëndësishëm në implementimin e strategjisë që duhet të rezultojë në rritjen e konkurrentësisë dhe zhvillimit,” tha ministrja.

Në panelin e diskutimit ku u debatua për Strategjinë e specializimit të mençur, ministri tha se i gjithë koncepti i specializimit të mençur është në bashkëpunimin, besimin, idetë perspektive dhe ndërtimin e partneriteteve.
“Por para nesh është pjesa më e vështirë, që këto qëllime strategjike të shndërrohen në praktikë. Të realizohet e gjithë kjo frymë pozitive dhe kreative, e cila është nxitur në krijimin e strategjisë, për çka nevojitet përkushtim, vullnet dhe njohuri të fortë. Duke marrë parasysh statusin e ndryshëm të zhvillimit të ekosistemit afarist, novator dhe hulumtues, është me rëndësi të madhe të mbështeten projekte konkrete për Ballkanin Perëndimor për të forcuar kapacitetet kombëtare, rrjetëzimet rajonale dhe përfshirjen në nismat dhe projektet evropiane për inovacione të reja, aleanca industriale, projekte strategjike industriale. Ministria e Ekonomisë dhe Punës është pika e kontaktit për platformën Luginat Rajonale të Inovacionit, së bashku me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës organizojmë punëtori me Interreg Evropë për transferimin e përvojave të specializimit të mençur, bashkëpunojmë në mënyrë aktive me Sekretariatin e EIT, jemi të përfshirë në implementimin e Planit të veprimit për Tregun e përbashkët rajonal të Këshillit rajonal të bashkëpunimit dhe shumë aktivitete të tjera. Mbështetje e rëndësishme do të jetë agjenda reformuese dhe masat që janë parashikuar për forcimin e infrastrukturës institucionale për inovacion, hulumtim dhe zhvillim”, tha Durmishi, duke shtuar se me miratimin e strategjive të specializimit të mençur, të gjitha vendet e rajonit konfirmuan angazhimin dhe vendosmërinë e tyre për të pranuar qëllimet e Agjendës Novatore Evropiane.

Si mesazh i fundit, dua të theksoj se duhet të dallohen mundësitë e specializimit të mençur në bashkëpunimin e rajonit dhe BE-së meqë ofron mundësi të vetme për të motivuar dhe lidhur forcat dhe iniciativat zhvillimore dhe të krijojmë së bashku partneritete të reja, inovacione, produkte të reja, tregje të reja, përfshirje në zinxhirët globalë të vlerave dhe konkurrentësi më të madhe rajonale, evropiane dhe globale”, tha ministri.