Në shtëpinë ligjvënëse sot u shënua Dita Ndërkombëtare për uljen e rrezikut nga katastrofat – 13 Tetori, ku fjalim mbajti kryetari i Kuvendit Afrim Gashi, si dhe përfaqësuesi i përhershëm i Programit për zhvillim të Kombeve të Bashkuara, Armen Grigorijan

“Shumë katastrofa janë kërcënim real për mirëqenien e fëmijëve dhe të rinjve në mbarë botën”, theksoi Gashi në fjalimin e tij, sepse siç tha, kjo është kategoria më vulnerabile që në rast të katastrofës përballet me sfida shtesë.

“Këto ditë jemi dëshmitarë të përmbytjeve katastrofike në Bosnje dhe Hercegovinë, të cilat morën jetë njerëzish, shkatërruan shtëpi, mbuluan shtëpi dhe prona. Solidariteti i shteteve dhe qytetarëve të rajonit dhe reagimi i Bashkimit Evropian, i cili e aktivizon Mekanizmin e Mbrojtjes Civile, janë rreze shprese në këtë tragjedi. Vendi ynë, gjithashtu është goditur nga një numër i madh i katastrofave natyrore. Duke filluar nga përmbytjet shkatërruese në rajonin e Tetovës dhe Shkupit, deri te lëkundjet sizmike, siç ishte tërmeti i vitit 1963 dhe zjarret në pyje gjatë viteve të fundit. Pasojat u ndjenë në shumë pjesë të shtetit, duke u pasqyruar në jetën e qytetarëve, ekonominë, botën shtazore dhe ambientin jetësor”, tha Gashi.

Fatkeqësitë natyrore nuk njohin kufij dhe kombe. Nga ky aspekt, është shumë e rëndësishme që shtetet dhe organizatat ndërkombëtare të bashkohen dhe të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën.

“Vendi ynë disa herë e ka ndjerë rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar, duke përfshirë ndihmën që e kemi marrë nga fqinjët tanë dhe nga BE-ja në përballimin e zjarreve gjatë viteve të fundit. Do të theksoja edhe ndihmën që e marrim nga qeveria zvicerane, e cila në bashkëpunim me Programin për Zhvillim e KB-së, nëpërmjet sërë aktivitetesh po punon në reduktimin e rreziqeve nga përmbytjet në rajonin e Pollogut”, tha Gashi.

Përfaqësuesi i përhershëm i Programit për zhvillim të KB-së, Grigorjan, theksoi se fëmijët në vendet e pazhvilluara janë lënë në një pozitë disproporcionale në raport me fatkeqësitë.

“Ata janë më të prekshëm ndaj rrezikut të menjëhershëm të fatkeqësive dhe vuajnë pasoja më të rënda për sa i përket shëndetit, arsimit dhe mirëqenies së përgjithshme. Këtë vit, vendeve u kërkohet të fokusohen në sistemin arsimor për të reduktuar rreziqet e fatkeqësive për të rinjtë dhe fëmijët në dy fusha, kryesisht mbrojtjen e fëmijëve, sigurimin e shkollave të sigurta dhe institucioneve arsimore të sigurta. Ata duhet të jenë të sigurt në institucionet arsimore dhe të jenë elastikë ndaj fatkeqësive dhe rrezikut të fatkeqësive”, theksoi Grigorijan.