Ministria e Shëndetësisë njoftoi se janë siguruar sasi të reja të vaksinave kundër Covid-19, raporton Portalb.mk.
Bëhet fjalë për 11.520 doza që do të shpërndahen në qendrat shëndetësore gjatë javës.
“Për këtë qëllim, të gjithë qytetarët e interesuar që dëshirojnë të marrin vaksinë kundër Covid-19 mund të kontaktojnë qendrën shëndetësore më të afërt”, informoi Ministria e Shëndetësisë.
Në Shkup vaksinimi do të bëhet në poliklinikën Bit Pazar.
Vaksinat janë të destinuara për të rriturit dhe adoleshentët mbi 12 vjeç.
“Vaksinimi është masa më e mirë dhe më efektive për mbrojtjen e shëndetit të popullatës nga sëmundjet infektive”, thanë nga ministria.
Gjatë vitit 2024, deri më 29 shtator, në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar zyrtarisht 1889 persona të infektuar me Covid-10 si dhe 23 vdekje të lidhura me Covid-19.
Rasti i parë me Covid-19 në vend u shfaq më 26 shkurt 2020.
Që nga fillimi i pandemisë në RMV janë raportuar mbi 351 mijë të sëmurë, prej të cilëve vdiqën mbi 10 mijë.