Pasi kontrolluam partinë “E djathta” dhe ndaluam disa persona, i akuzuari Vllatko Kishishev na dërgoi në vendin e të vrarës Vanja Gjorçevska. Kështu nisi dëshminë e tij në Gjykatë ish kryeshefi i SPB-së së Shkupit Muzafer Karishiq, Ai tha se Kishishev ishte i frikësuar para policisë, ai vazhdimisht përsëriste se nëse thoshte diçka, Pallçoja do ta vriste. Kur i çoi në vendin ku u gjet kufoma e Vanjës, Kishishev pretendonte se ai vetëm ka qëndruar pranë.

“Fillimisht na çoi te një automjet që digjej, ‘Citroen’ i vjetër, të cilin e dinim tashmë. Ai aty hezitonte, donte të thoshte diçka, por më pas ndryshoi mendje. Më në fund tha: Më lejoni t’ju çoj në vend dhe vazhduam të vozisim sipas udhëzimeve të tij. Kur arritëm në vend, ai vetëm tundi kokën dhe tregoi jastëkët dhe dyshekët, dhe pastaj pamë hundën dhe njërën këmbë të vajzës”, tha Muzafer Karishiq, ish kryetar i SPB Shkup.

Keshishev kishte konfirmuar se Pallçoja dhe Velibor Manevi ishin pjesë e vrasjes, ndërsa në fillim nuk e përmendi të dyshuarin Bore Videski. Sa i përket babait të Vanjës, Aleksandar Gjorçevskit, dëshmitari tha se Gjorçevski nga njëra anë ishte këmbëngulës në kërkimin e vajzës së tij, por nga ana tjetër vazhdimisht pretendonte se gjithçka ishte e kotë dhe se ajo ishte rrëmbyer dhe vrarë, por nuk zbuloi detaje pse mendonte kështu. Sipas dëshmitarit, nëna e Vanjës ishte e qetë. Sipas mbrojtjes, pretendimet për sjelljen e Aleksandrit janë të rreme, ndërsa akuzuan se Gjorçevski është torturuar fizikisht nga policia në prani të Karishiqit, gjë që dëshmitari e ka mohuar gjatë dëshmisë së tij.

“Aleksandri në atë moment u soll si “pula pa kokë” siç thotë populli, kjo është e vërteta dhe kushdo që ishte i pranishëm me të mund të konfirmojë. E gjithë tortura mbi Aleksandrin ndodh para tij, ai është në dhomë së bashku me Aleksandrin dhe bashkë me tre kolegë të tjerë, nëse nuk gaboj dy ose tre, Aleksandri do ta sqarojë këtë”, deklaroi Vlladimir Tufegxhiq, avokat i të akuzuarit Aleksandar Gjorçevski.

Përveç Karishiqit, para gjykatës dëshmoi edhe kreu i SPB Veles, Riste Samarxhiev, i cili tha se i akuzuari Velibor Manev i ka dërguar te trupi i të vrarit Pançe Zhezhovski nga Velesi. Gropa në të cilën ndodhej trupi i tij ishte tre metra e thellë kurse Manev i tha policisë se Pallçoja e ka qëlluar Zhezhovskin. Dëshmitari përmendi edhe video prova, për të cilat mbrojtja e të dyshuarit Bore Videvski tha se janë kontradiktore.

“Në drejtim të pretendimit të tillë shkon edhe dëshmia e dëshmitarit të dytë, shefit të atëhershëm të policisë së Velesit, të paktën në atë pjesë që janë regjistrimet në hotel “Romantik”. Ai në asnjë rast nuk sqaroi se sa persona janë parë, në sa vetura dhe nëse ka regjistrime të fytyrave të atyre personave”, u shpreh Bojan Manev, avokat i të akuzuarit Bore Videvski.

Me marrjen në pyetje të dëshmitarëve, të premten do të vazhdojë gjykimi për vrasjen e dyfishtë të 14 vjeçares Vanja Gjorçevska nga Shkupi dhe 74 vjeçarit Pançe Zhezhovski nga Velesi. /Alsat.mk