Fushatë e orkestruar e qeverisë janë për BDI-në zhvillimet e ditëve të fundit që lidhen me raportet ndëretnike. Në mbledhjen e një ditë më parë të kryesisë së ngushtë të partisë, BDI-ja ka vendosur që të mbledhë organet e partisë për të biseduar për hapat e mëtejshëm.
“…këto veprime janë pjesë e një fushate të orkestruar nga qeveria jolegjitime dhe përbëjnë kërcënim serioz për stabilitetin e vendit dhe harmoninë ndëretnike. Përballë kësaj situate të papranueshme, Kryesia e Ngushtë vendosi që të thërrasë organin më të lartë të partisë të hënën, për të marrë vendime mbi hapat e mëtejshëm dhe për të përcaktuar masat konkrete për të parandaluar përpjekjet e qeverisë për të destabilizuar vendin… i bëjmë thirrje të gjithë aktorëve të përfshirë në këtë plan monstruoz dhe jashtëzakonisht të rrezikshëm të ndalin këtë çmenduri, pasi pasojat do të jenë të paimagjinueshme”, thonë nga BDI.
Këto veprime janë pjesë e një fushate të orkestruar nga qeveria.
E ndërkohë, sipas VLEN, të gjitha që po ndodhin janë pasojë e keqmenaxhimit të deritanishëm të BDI-së. Driton Sulejmani thotë se BDI-ja do të japë mesazhin e gabuar se s’ka kush i mbron shqiptarët dhe se kjo rrit dyshimet se ata vetë janë organizatorët.
“Nëse i kemi ndjekur më vëmendje deklaratat që i ka bërë BDI-ja, kohë më parë, përpara se të ndodhin këto, gjëra, ata vazhdimisht kanë paralajmëruar për destabilizime të mundshme, gjoja se qeveria VLEN nuk është duke i përfaqësuar shqiptarët dhe është duke lejuar që shqiptarët të nënçmohen e kështu me radhë dhe pas paralajmërimeve të tilla, do të kisha thënë çuditërisht, ndodhin rasti i flamurit në ditën kur si asnjëherë më parë është festuar dita e flamurit nëpër të gjithë sheshet e qyteteve, pastaj e kemi edhe rastin që ndodhi në Kumanovë dhe ku u kap autori…Kjo gjë flet dhe na len shumë hapësirë për të dyshuar se vetë BDI-ja mund të jetë organizatori i të gjitha këtyre rasteve”, tha Driton Sulejmani, VLEN.
Reagimet politike vinë pas djegies së flamujve gjatë festimeve të 28 Nëntorit dhe pritjeve të seancës së Gjykatës Kushtetuese ku do të shqyrtohet ligji për përdorimin e gjuhëve./Alsat.mk