Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, sot, së bashku me stafin e tij, ka bërë homazhe te pllaka përkujtimore e dedikuar viktimave të tragjedisë në Llaskarcë të Shkupit. Në këtë aksident tragjik, që ndodhi gjashtë vjet më parë si pasojë e aksidentimit të një autobusi të kompanisë “Durmo Turs”, humbën jetën 16 udhëtarë, kryesisht nga Gostivari.
Limani, duke vendosur lule në shenjë nderimi, ka përkujtuar viktimat dhe ka theksuar dhimbjen e madhe që kjo tragjedi ka lënë pas. Ai gjithashtu ka takuar familjarët e viktimave, duke shprehur ngushëllime dhe solidaritet me ta në këtë ditë përkujtimore.
“Në 6-vjetorin e tragjedisë së Llaskarcës, bëra homazhe te pllaka përkujtimore e dedikuar viktimave që humbën jetën në këtë ngjarje tragjike, duke na lënë dhimbje dhe trishtim. Gjithashtu, pata mundësinë të takoj familjarët e tyre dhe të ndaj me ta dhembjen për këtë humbje të madhe,” ka përfunduar Limani.