Një depo e prodhimit të poliesterit mbrëmë ka marrë flakë në fshatin Negotinë të Komunës së Vrapçishtit. Siç njoftojnë nga Qendra për Menaxhimin e Krizave, ka intervenuar njësiti i zjarrfikësve të Gostivarit dhe Tetovës, me ç’rast është lënduar një zjarrfikës. Gjatë shuarjes së zjarrit, ai ka rënë nga shkallët dhe ka pësuar lëndime, për çka është dërguar në Qendrën Emergjente në Spitalin Klinik në Gostivar.

“Zjarrfikësit e Gostivarit kanë intervenuar me nëntë zjarrfikës dhe tri vetura”. Është kërkuar dhe pranuar ndihmë nga Zjarrfikësit e Tetovës me katër zjarrfikës dhe një veturë. Është një magazinë e prodhimit të poliestrit, e cila përbëhet nga tre objekte, dy prej të cilave janë djegur plotësisht dhe i treti pjesërisht”, tha QMK.

Zjarri është lokalizuar në orën 05:30, por ende ka prush dhe tym, për këtë arsye zjarrfikësit janë në vendngjarje. Nuk dihen shkaqet e zjarrit.