Nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor i janë përgjigjur akuzave të Bashkimit Demokratik për Integrim, të cilët thonë se i janë marrë kompetencat ministrit Izet Mexhiti, përcjell TV21. Nga MMJPH thonë se Mexhiti dhe Ministria i kanë kompetencat nga qytetarët, Ligji dhe Kushtetuta.

“Izet Mexhiti, si Ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Lëvizja Demokratike dhe koalicioni VLEN, i kanë të gjitha kompetencat nga qytetarët, Ligji dhe Kushtetuta për të menaxhuar me institucionet, me kapacitet të plotë, dhe me projekte që realizohen në të mirë të qytetarëve gjithandej vendit. Bashkimi Demokratik për Integrim për 22 vjet nuk ka kuptuar se organet qeveritare siç janë ministritë, nuk udhëhiqen nga letrat e arkivuara, por nga ligjet dhe Kushtetuta. Këtë nuk e kanë mësuar për 22 vjet në pushtet, por tani në opozitë e kanë mundësinë për të mësuar se si udhëhiqet shteti. Lidhur me kompetencat që cekë BDI, i përkujtojmë se kompetencat dhe ingerencat ndaj inspektorateve që iu morrën atyre para 10 viteve, kjo qeveri i ka kthyer nën ministritë e ndryshme, aty ku e kanë vendin, për të cilën gjë BDI nuk guxoi ta thotë as edhe një fjali të vetme, nga frika se po i humb benefitet e një grupi nga kupola e tyre. Këto inspektorate, tani janë rikthyer nën ingerencat e ministrive nga qeveria aktuale”, thonë nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor”, thuhet mes tjerash në njoftimin e MMJPH-së.