Agjencia për Menaxhimin e Pasurive të Konfiskuara nuk e di se sa kushtojnë veturat e sekuestruara, nuk mban shënim se ku ndodhen dhe kur i shet nuk i dergon të gjitha paratë në Buxhet, por një pjesë e ka shpenzuar vetë, transmeton Portalb.mk.
Enti Shtetëror i Revizionit (ESHR) ka konstatuar se nga viti 2011 deri në vitin 2024, Agjencia ka shitur pasuri të konfiskuar prej gati 27 milionë euro, por ka paguar më pak se 20 milionë euro në buxhet, përkatësisht kanë mbetur 445 milionë denarë ose 7 milionë euro më pak.
Në raportin e kontrollit shtetëror thuhet se Agjencia nuk mban evidencë për sendet e luajtshme të konfiskuara që nuk mund t’i marrë menjëherë në magazinat e saj. Nuk mban gjurmë se ku ndodhen dhe as nuk bën një inventar të tyre. Janë 46 automjete të sekuestruara në dogana, 689 në MPB, por Agjencia nuk ka vlerësuar se sa kushtojnë.
Gjithashtu, Agjencia nuk i trajtoi në mënyrë të barabartë të gjitha institucionet shtetërore të cilave u jep makina dhe objekte të tjera të sekuestruara.
“Praktika e vendosur e dorëzimit të objekteve të konfiskuara dhe mjeteve motorike nuk lejon barazinë e institucioneve për përdorimin e të njëjtave sepse Agjencia nuk i informon institucionet e pushtetit qendror dhe vendor, si dhe NP dhe Sh.A të themeluara prej tyre, për objektet e konfiskuara që disponon”, thuhet në Entin Shtetëror për Revizion.
Këto janë vetëm disa nga parregullsitë që ka konstatuar Enti Shtetëror për Revizion në punën e Agjencisë për Menaxhimin e Pasurive të Konfiskuara në vitin 2023.
Auditorët kanë konstatuar gjithashtu se magazinat dhe depot e Agjencisë nuk i plotësojnë kushtet elementare për mbrojtje nga lagështia, zjarri apo dëmtuesit e mallrave të caktuara të sekuestruara, si barnat, objektet e ndezshme, mobiliet, veshmbathjet apo ushqimet. Makinat ruhen në parcelë pas 7-8 vjetësh, kështu që tashmë janë të spërkatura me bar dhe të kalbur.
Ndryshe, vitin e kaluar kompania “Best Way Investments” e Jordan Mijallkovit i kishte blerë tri banesat dhe një garazh në Vodno, të cilat i ishin konfiskuar në rastin kundër babait të tij, për rreth 300 mijë euro. Banesat ishin 73 dhe 78 metra katrorë dhe garazhi rreth 30 metra katrorë.
Sipas llogaritjeve, Agjencia i ka shitur këto apartamente luksoze në Vodno me një çmim prej 1384 euro për metër katror.
Agjencia e Menaxhimit të Pronave të Sekuestruara fillimisht do të duhet të kërkojë leje nga Qeveria për të shitur pronën. Në periudhën e ardhshme do të dalin në shitje edhe pasuri të tjera të konfiskuara, si dhe rreth 50 vetura të konfiskuara.