Një ushtar profesionist dyshohet se është kapur me drogë. Alsat ka mësuar ekskluzivisht identitetin e tij. Bëhet fjalë për Nikolla Ivanovski, i cili dyshohet se u kap me marihuanë në muajin shkurt. Sipas burimeve të tona, ushtarakut i janë gjetur të paktën 70 gram marihuanë dhe një peshore digjitale. Pas arrestimit Ivanovski është lënë i lirë, ndërsa Prokuroria Publike është njoftuar vetëm 4 ditë më vonë. Organi i akuzës ka kërkuar që provave të konfiskuara t’i bëhet ekspertizë.
“Me datë 28.02.2025 në ora 21:15, pas informacioneve të marra paraprake operative, në parkingun përballë një marketi në hyrje të Dellçevës është ndalur automjeti “Passat” me targa të Shtipit, i drejtuar nga R.S., në të cilin pasagjer ishte N.I., të dy nga Dellçeva. Gjatë kontrollit, te N.I i është gjetur pako me lëndë bimore të gjelbër dhe gjatë kontrollit në mjet është gjetur peshore digjitale para ulëses së pasagjerit. Sendet e gjetura janë konfiskuar, ndërsa për zbardhjen e rastit është zhvilluar bisedë me tetë persona”, njoftojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Rastin e ka konfirmuar edhe Armata. Sipas tyre personi ndodhet në procedurë disiplinore.
“Armata ka dijeni për këtë rast dhe menjëherë pas marrjes së informacionit ka nisur procedurë disiplinore dhe janë ndërmarrë të gjitha veprimet konform dispozitave ligjore”, thonë nga Armata e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Informacionet tona flasin se për lirimin e Ivanovskit, përkatësisht procedimin e tij me procedurë të rregullt edhe pse dispozitat e procedurës penale janë të qarta për persona zyrtarë, e ka kërkuar një funksionar i lartë i ushtrisë përmes personave që mbajnë poste udhëheqëse në Ministrinë e Brendshme. Në rrethana jo zyrtare mësohet se një drejtor i një muze ushtarak ka intervenuar drejtpërdrejtë më 1 mars për ta liruar Ivanovskin i cili mësohet të jetë nipi një udhëheqësi të lartë ushtarak në Shtabin e Përgjithshëm.