Mbrëmë, në Institucionin Nacional Galeria e Arteve Tetovë, u hap ekspozita personale “Gërshetimi në tranzicion” e artistit Mirçe Avramoski. Ekspozita sjell para publikut një cikël veprash të realizuara me teknikën akril në pëlhurë, duke pasqyruar transformimin artistik të autorit nga ikonografia shpirtërore drejt eksperimentimit me forma gjeometrike.
Mirçe Avramoski, i cili e ka nisur rrugëtimin e tij artistik që në moshën 10-vjeçare, në këtë ekspozitë paraqet përjetimet e tij të brendshme në raport me realitetin e jashtëm, në një kohë të karakterizuar nga pasiguria. Çdo vepër e tij mbart një kujtim, ndjesi apo reflektim personal, duke ftuar vizitorin të ndërtojë një lidhje intime me to.
U.D. drejtoresha e Galerisë, Arbenita Meta, përgëzoi artistin për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar në këtë projekt. Ajo theksoi se ekspozita e Avramoskit shënon fillimin e realizimit të planit vjetor për vitin 2025, të mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Në fjalën e saj, znj. Meta i uroi Avramoskit shëndet dhe suksese të mëtejshme në rrugën e tij krijuese.
Kuratori i ekspozitës, Muhamed Adili, vlerësoi evolucionin artistik të Avramoskit nga punimet tradicionale në dru deri te qasja bashkëkohore abstrakte. Ai theksoi se veprat e ekspozuara reflektojnë ndërthurjen mes shpirtërores dhe formës dydimensionale gjeometrike, duke sjellë një përfytyrim të qartë të ndryshimeve individuale dhe shoqërore.
Përmes ngjyrave, teksturave dhe kompozimeve të lira, Avramoski pasqyron kalimin nga konkretja në abstrakte, si një përpjekje për të ruajtur rrënjët dhe për t’u përshtatur me të renë. Ekspozita përcjell një mesazh të fuqishëm: arti është një mjet për të kuptuar dhe përballuar procesin e tranzicionit, duke nderuar të kaluarën dhe përqafuar ndryshimin.
Ekspozita “Gërshetimi në tranzicion” do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 30 prill 2025. Galeria e Arteve Tetovë ju fton të vizitoni këtë ngjarje të veçantë dhe të përjetoni një përvojë artistike unike.