Tre astronautët kinezë nga misioni “Shenzhou-19” janë kthyer shëndosh e mirë në Tokë, pasi kaluan gjashtë muaj në stacionin hapësinor Tiangong të Kinës.
Sipas agjencisë së lajmeve Xinhua, astronautët Cai Xuzhe, Song Lingdong dhe Wang Haoze zbarkuan në vendin e uljes Dongfeng në rajonin autonom të Mongolisë së Brendshme, ndërsa kthimi i tyre ishte vonuar me një ditë për shkak të kushteve të pafavorshme të motit.
Të nisur në muajin tetor, tre astronautët kinezë, të njohur në vend si taikonautët, kryen një sërë eksperimentesh shkencore dhe të mirëmbajtjes të stacionit gjatë qëndrimit të tyre të zgjatur në objektin orbital të ndërtuar nga Kina.
Misioni i tyre përfundoi ndërsa ekuipazhi tjetër “Shenzhou-20” mori përsipër me sukses operacionet e stacionit javën e kaluar. Ekipi i ri i përbërë nga komandanti Chen Dong, Chen Zhongrui dhe Wang Jie, u nis të enjten e kaluar nga qendra e lëshimit të satelitëve Jiuquan në Kinën veriperëndimore dhe do të qëndrojë gjashtë muaj në stacionin hapësinor.