Ministri i Brendshëm i Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski, dhe ai Serbisë, Ivica Daçiq, kanë nënshkruar sot në Beograd një marrëveshje midis qeverive të dy vendeve për zbatimin e kontrolleve të përbashkëta në pikën kufitare Tabanoc-Preshevë.
Sipas një njoftimi nga Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut, kjo marrëveshje duhet të mundësojë zbatimin e vërtetë të sistemit “One Stop” që synon transportin më të shpejtë të njerëzve, më shumë tregti, turizëm dhe miqësi midis dy vendeve.
“Me zbatimin e sistemit, presim që transferimi i njerëzve të dyfishohet, dhe pas nënshkrimit dhe ratifikimit të marrëveshjes, do të jemi në gjendje të fillojmë fazën testuese në aspektin e një zgjidhjeje teknike dhe shpresojmë që para fillimit të sezonit veror do të jemi në gjendje ta vëmë zyrtarisht në funksion dhe të përshpejtojmë rrjedhën e njerëzve”, ka thënë Toshkovski.
Ndërkaq, Daçiq ka thënë se qëllimi i kësaj marrëveshjeje është t’i ndihmojë më tej qytetarët të kalojnë më lehtë kalimet kufitare dhe kështu të lehtësojë rrjedhën e njerëzve dhe mallrave.
Sistemi “One Stop” u zbatua së fundmi midis Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës në pikën kufitare Bllacë-Han i Elezit, dhe planifikohet të zbatohet edhe me Shqipërinë. Siç thotë Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut, vendi synon ta zbatojë këtë sistem me të gjitha shtetet fqinje që nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian.