Në një kohë kur skena politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut përballet me sfida të shumta dhe polarizime të brendshme, zëri i urtësisë dhe thirrjes për unitet bëhet më i domosdoshëm se kurrë. Latif Arifi, një nga figurat themeluese dhe më të zëshme të Aleancës për Shqiptarët, vjen me një apel të sinqertë dhe të fuqishëm për pajtim e bashkim. Thirrja e tij nuk është vetëm një reflektim mbi të kaluarën, por një udhërrëfyes moral për të ardhmen e përbashkët. Në rreshtat që vijojnë, ai fton çdo anëtar, aktivist dhe përkrahës të Aleancës të lënë pas ndasitë dhe të punojnë për ribashkimin e shtëpisë politike që ndërtuan me përkushtim. Ky është një mesazh që tejkalon individët dhe ambiciet personale – është një thirrje për maturi, për përgjegjësi dhe për bashkëjetesë politike në shërbim të shqiptarëve.
Në vazhdim postimi i plotë:
Latif ARIFI
“Të dashur miq, anëtarë dhe përkrahës të Aleancës për Shqiptarët,
Ka ardhur momenti të ndalemi dhe të reflektojmë me zemër e mendje të hapur për rrugën që kemi ndjekur dhe më e rëndësishmja, për rrugën që na pret përpara.
Ne jemi më shumë se një parti, jemi një familje politike, ndërtuar me mund, me sakrifica dhe me dashuri për shqiptarët. Po, mund të kemi gabuar, mund të kemi thënë fjalë të rënda, por kjo nuk na bën armiq.
Ndarja jonë ka qenë deri diku pa urrejtje dhe ky është një shembull qytetarie që ne do të duhet ta ruajmë.
Aleanca për Shqiptarët është një shtëpi e përbashkët. Nuk është pronë e askujt, por amanet i të gjithëve. Prandaj, është koha të tregojmë maturi, urtësi dhe mbi të gjitha zemër të madhe për të falur. Sepse pa falje nuk ka ribashkim të vërtetë.
Sot, më shumë se kurrë, bashkimi ynë është detyrë historike. Ne nuk kemi luksin të qëndrojmë të ndarë. Ideali i Aleancës është më i madh se çdo keqkuptim apo interes personal, është përfaqësimi i denjë i shqiptarëve, dinjiteti dhe zëri ynë i përbashkët.
Unë besoj te Ziadin Sela! Ai ka treguar guxim për të kapërcyer plagët e së kaluarës.
Besoj te Arben Taravari! Me urtësinë dhe përkushtimin e tij, ai mund dhe duhet ta shtrijë dorën e pajtimit.
Le ta bëjmë këtë hap së bashku, për hir të asaj që na bashkon, jo të asaj që na ndan.Kjo nuk është thirrje për heshtje, është ftesë për pajtim, për falje, për bashkim.
Të gjithë ju, aktivistë, anëtarë, simpatizantë, mos qëndroni mënjanë!Secili ka një zë që vlen. Le ta përdorim për ribashkimin e kësaj shtëpie që e ndërtuam së bashku.”
Koha për veprim është TANI.
Për të parë postimin kliko KËTU