Papa Leoni XIV ka bërë thirrje për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë dhe një armëpushim të menjëhershëm në Gaza me lirimin e pengjeve dhe shpërndarjen e ndihmave humanitare, në bekimin e tij të parë të së dielës në mesditë si Papë.
“Kurrë më luftë!”, ka thënë Leon nga lozha e Bazilikës së Shën Pjetrit, raporton AP.
Duke kujtuar fundin e Luftës së Dytë Botërore 80 vjet më parë, Leoni ka cituar Papa Françeskun duke denoncuar numrin e konflikteve që po shkatërrojnë globin sot, duke thënë se ishte një “luftë e tretë botërore në copa”.
Leon, Papa i parë amerikan, ka vënë në dukje gjithashtu se e diela është Dita e Nënës në shumë vende dhe ka uruar të gjitha nënat, “përfshirë ato në parajsë”.
Është hera e parë që Leon është kthyer në lozhë që kur është shfaqur për herë të parë aty të enjten mbrëma, pas zgjedhjes së tij të jashtëzakonshme si Papë, i pari nga Shtetet e Bashkuara.
Papa Leoni, misionari 69-vjeçar i lindur në Çikago, është zgjedhur Papa i 267-të të enjten pas vdekjes së Françeskut më 21 prill.