Nga Latif Arifi
Deklarata e fundit e Ziadin Selës, se “eksponentë të ndryshëm nuk kanë lidhje me gjenezën e Aleancës për Shqiptarët, por e keqpërdorin për qëllime pushteti”, është jo vetëm e pavërtetë, por edhe një përpjekje e dëshpëruar për të fshehur tradhtinë politike që vetë ai ka bërë ndaj asaj gjenerate të aktivistëve që ndërtuan Aleancën me idealizëm dhe sakrificë.
Sot, kur ai tenton ta paraqesë veten si një “faktor unifikues” dhe “shpresë për ndryshim”, qytetarët shqiptarë e dinë më mirë se kurrë se kush kontrabandoi idealet e Aleancës për një dorë pushtet.
Ishte pikërisht Ziadin Sela ai që, në mënyrë të papërgjegjshme dhe pas shpinës së anëtarësisë, e dorëzoi partinë në prehrin e Ali Ahmetit. Dhe po ai, bashkë me Arben Taravarin, mashtruan me vetëdije aktivistët e ndershëm për interesa personale, duke përdorur strukturat e Aleancës si monedhë shkëmbimi në pazaret politike me BDI-në.
Por ajo që ata nuk arritën ta parashikonin, ishte që aktivistët e vërtetë, ata që e kanë ngritur Aleancën nga themelet, që janë pjesë e trungut dhe ADN-së së këtij organizimi politik, nuk do të dorëzoheshin.
Ata nuk i ndoqën Selën dhe Taravarin në këtë rrugë të turpshme, por përkundrazi, vazhduan betejën. Qëndruan besnikë ndaj idealit të vërtetë të Aleancës për Shqiptarët, një ideal që nuk shitet, nuk jepet me qira dhe nuk komandohet nga Zajazi.
Kjo aleancë nuk është prone e individëve, e aq më pak e atyre që e përdorin atë si trampolinë për poste dhe tenderë. Ajo është një lëvizje që lindi nga nevoja për ndryshim të vërtetë dhe e tillë do të mbetet falë qëndresës së atyre që nuk i lëkunden nga presionet, ofertat apo manipulimet.
Sela dhe Taravari mund të kapen dorë për dore dhe të presin dhuratat e Babagjyshit nga Zajazi.
Le të shpresojnë për komuna të dhuruara si shpërblim për tradhtinë politike. Por ata harrojnë diçka themelore se komunat nuk i jep Ali Ahmeti, ato i japin qytetarët shqiptarë me votën e tyre. Dhe këta qytetarë e kanë të qartë kush është i sinqertë dhe kush është mashtrues.
Aleanca për Shqiptarët do të vazhdojë të jetojë dhe të forcohet përmes themeluesve të saj të vërtetë,gardianëve të saj, që do ta mbrojnë nga çdo përpjekje për ta shndërruar në një vegël të pushtetit personal.