Nga Latif Arifi
Në prag të zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, kur klima politike është e ndezur dhe çdo gjest merr peshë të madhe simbolike, Ambasadori i Shqipërisë në Shkup, z. Denion Mejdani, ka vendosur t’i kalojë kufijtë e sjelljes së një diplomati të përgjegjshëm. Në vend që të mbajë qëndrimin e përmbajtur dhe të balancuar që i kërkon posti i tij, ambasadori është pozicionuar haptazi në favor të Bashkimit Demokratik për Integrim, duke u shndërruar, për fat të keq, në një vegël të propagandës elektorale të kësaj partie.
Rasti i fundit që e dëshmon këtë është ndërhyrja e tij në çështjen e shkollës në Nerovë të Krushevës – një temë shumë e ndjeshme për banorët, për ligjshmërinë dhe për të ardhmen e banorëve. Është e ditur se godina e re është ndërtuar pa dokumentacion të rregullt mbi pronë shtetërore, çka ka sjellë një përplasje mes vullnetit për të ndihmuar fëmijët dhe domosdoshmërisë për të respektuar ligjet dhe standardet minimale të sigurisë.
Pasi qeveria e Maqedonisë zgjidhi këtë çështje të kahmotshme me një vendim institucional, ishte krejtësisht e papranueshme që funksionarë të BDI-së si Musa Xhaferi dhe struktura lokale e kësaj partie të inskenojnë një “shfaqje mirënjohjeje”, duke përfshirë në mënyrë të turpshme edhe ambasadorin shqiptar, i cili nuk ka pasur asnjë kontribut real, as financiar, as institucional, në këtë projekt. Mungesa e çdo dokumenti që tregon përfshirjen e ambasadës shqiptare në ndërtimin apo legalizimin e shkollës i jep kësaj ndërhyrjeje një aromë të rëndë manipulimi.
Ky nuk është incident i parë. Rasti në Çarshinë e Shkupit, ku ambasadori Mejdani bashkë me shefin e tij të qeverisë dha sinjale mbështetjeje të drejtpërdrejtë për strukturat e BDI-së, ishte një tjetër precedent i rrezikshëm. Kjo sjellje nuk është thjesht mungesë profesionalizmi, është një ndërhyrje në punët e brendshme të një shteti tjetër, e papranueshme për çdo përfaqësues diplomatik.
Rreziku që fshihet pas këtij veprimi është edhe më i madh. BDI duket se po ndjek një skenar të njohur: ta shtyjë ambasadorin të tejkalojë kompetencat, pastaj të viktimizohet nëse autoritetet vendase reagojnë, duke e shitur veten si “viktimë e shtetit maqedonas anti-shqiptar”. Një lojë e ulët, në kurriz të një çështjeje aq serioze si arsimi dhe siguria e fëmijëve.
Është koha që z. Mejdani dhe shefat e tij në Tiranë të reflektojnë. Ambasadori i Shqipërisë nuk është aty për të përkrahur BDI-në, por për të përfaqësuar interesat e shqiptarëve në tërësi, pa dallime partiake, pa përfshirje në garat elektorale dhe pa u shndërruar në vegël të asnjë klani politik.
Shqiptarët e Maqedonisë kanë nevojë për institucione që i mbrojnë dhe përfaqësojnë denjësisht, jo për diplomatë që bëhen pjesë e lojërave të pista elektorale.