Ministria e Punëve të Jashtme dhe Evropiane e Kroacisë (MVEP) u ka rekomanduar shtetasve të saj që t’i shtyjnë të gjitha udhëtimet jo të domosdoshme drejt Serbisë, raporton Radio Evropa e Lirë.
Në një njoftim të publikuar sot, Ministria u ka bërë thirrje qytetarëve kroatë për “kujdes të shtuar, ndjekje të situatës aktuale dhe informim më të detajuar para udhëtimit, sidomos në dritën e sjelljeve të papërshtatshme dhe të pabazuara nga ana e autoriteteve të Republikës së Serbisë ndaj shtetasve kroatë”.
“Duke marrë parasysh që shpesh ndodhin bllokime të rastësishme të rrugëve si pasojë e protestave qytetare, është e rëndësishme të kihet parasysh se është e pamundur të parashikohet gjendja në komunikacion dhe vështirësitë eventuale që mund të ndikojnë ndjeshëm në qarkullimin në të gjithë vendin. Qytetarëve kroatë u rekomandohet veçanërisht t’i shmangin vendet ku grumbullohet numër i madh njerëzish”, thuhet në njoftimin e MVEP-it.(INA)