Kryeparlamentari Afrim Gashi, ka njoftuar sot se ka nënshkruar vendimin për shpalljen e zgjedhjeve lokale, të cilat do të mbahen më 19 tetor 2025. Vendimi tashmë është dërguar tek organet kompetente për organizimin dhe zbatimin e procesit zgjedhor.
Gashi theksoi se fushata zgjedhore do të nisë 20 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, ndërsa gjatë saj Kuvendi do të vazhdojë funksionimin administrativ, por nuk do të mbajë seanca plenare, me qëllim shmangien e keqpërdorimit të foltores parlamentare për qëllime elektorale.
Ai u bëri thirrje partive politike dhe kandidatëve të tregojnë kulturë të lartë politike, të shmangin fjalorin përçarës dhe presionet, si dhe të fokusohen tek qytetarët dhe zgjidhjet konkrete për sfidat e tyre. “Këto zgjedhje janë një mundësi për forcimin e demokracisë dhe për ndërtimin e një të ardhme më të mirë për të gjithë. Pres një proces të ndershëm, dinjitoz dhe në përputhje me standardet europiane”, u shpreh Gashi, duke uruar sukses të gjithë kandidatëve në garë.