8 C
Tetovo
E hënë, 18 Gusht, 2025
BallinaLajmeMaqedoni“Deshi të bëhej mbret, humbi edhe kalanë”, pse mbeti Thaçi jashtë? –...

“Deshi të bëhej mbret, humbi edhe kalanë”, pse mbeti Thaçi jashtë? – Ja çka kërkoi ai

“Po po, po po, po, ne do të jemi në qeveri, dhe ju duhet të rini urtë. Duhet të rrini urtë!”, tha Menduh Thaçi – Kryetar i PDSH-së.

Deshi të bëhej mbret, humbi edhe kalanë, thotë kështu një shprehje popullore që pasqyron më së miri gjendjen në të cilën përfundoi kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi. Duke pohuar se po vepron në frymën e Arbën Xhaferit, Thaçi me PDSH-në asnjëherë nuk arriti të fitojë zgjedhje. Siç ka mësuar jo zyrtarisht Alsat, pas largimit nga Fronti Evropian, për t’u bërë pjesë e qeverisë, Thaçi kishte kërkuar fillimisht dy drejtori e më pas katër. Përpos tyre, Thaçi ka kërkuar edhe një ministri pa resor.

Këto kërkesa kanë qenë tepër të larta për pushtetin dhe për këtë shkak nuk është arritur marrëveshje për bashkëpunim. Thaçi u arsyetua se Qeveria nuk ka dëshirë për dialog për avancimin e të drejtave të shqiptarëve të Maqedonisë. Thaçi shkëputi bashkëpunimin edhe me oponentin më të madh politik gjatë gjithë karrierës, Ali Ahmetin, me të cilin një vit më parë lidhi bashkëpunim sikur nuk kishte ndodhur asgjë.

“E di se duket e çuditshme, ndoshta shpeshherë e pakuptueshme dhe banale. Por, më lejoni t’u përkujtoj se bashkëpunimi me zotëri Ahmetin dhe partinë e tij nuk është i tanishëm. Nuk është sot. Ky bashkëpunim ka një histori, në këtë histori ka fakte të dokumentuara dhe kjo histori fillon prej Marrëveshjes së Prizrenit”, kishte thënë Menduh Thaçi – Kryetar i PDSH-së.

Tani që bashkëpunimi nuk vazhdon, Thaçi ndryshoi retorikë.

“Duke marrë parasysh se z.Ahmeti dhe BDI-ja janë përgjegjësit kryesorë për këtë nënçmim dhe poshtërim të shqiptarëve, edhe në aspektin kohor, 23 vjet në pushtet, ne vendosim që edhe me ta të mos kemi asnjë lloj bashkëpunimi e lëre më koalicion. Duke i shtuar kësaj se z.Ahmeti me vetëdije ka marrë si aleatë dy armiqtë e përbetuar të PDSH-së, duke mos kursyer asgjë për ta dëmtuar këtë parti, kuvendi konstatoi se bashkëpunimi me z.Ahmetin dhe BDI-në është tërësisht i pamundur”, është shprehur Menduh Thaçi – Kryetar i PDSH-së.

E formuar në vitin 1994 pas shkëputjes nga PPD-ja, PDSH dhe Thaçi dalëngadalë si duket po i mbyllin perdet. Nga 11 deputetë të fituar në vitin 2006, PDSH humbi thuajse të gjithë anëtarësinë. Si të pakënaqur nga politikat e Thaçit, nga kjo parti dolën shumë rryma të tjera politike si RDK-ja e Rufi Osmanit, BDSH-ja e Bardhyl Mahmutit , Demokracia e Re e Imer Selmanit, LRPDSH e dikurshme – tani Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës, ndërsa së fundmi Bekim Fazliu e Orhan Ibrahimi formuan partinë “Arbëria”. Të gjithë këta bashkë me vete morën edhe anëtarësinë e PDSH-së.

Njollë e zezë në biografinë e Thaçit, padyshim është përgjimi i publikuar nga ish lideri i LSDM-së, Zoran Zaev. Në bisedë, Thaçi dëgjohet duke i thënë shefit të Policisë së atëhershme Sekrete, famëkeqit Sasho Mijallkov, sе do të jetë besnik për gjithçka deri në vdekje, apo frazën që të gjithë e njohim: “Veren do smrt”. Nga viti 2004, Thaçin e ka ndjekur hija e listës së zezë amerikane. Si pasojë e përgjimeve, Thaçi u dënua me tre vjet burg për parregullsi zgjedhore, por dënimin asnjëherë nuk e vuajti./ Alsat.mk

spot_img
Artikuj të ngjashëm
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

TË FUNDIT

Recent Comments