Kandidati i VLEN-it për kryetar të komunës së Çairit, Izet Mexhiti, sot prezantoi planin për zgjerimin e bulevardit “Cvetan Dimov”. Ai tha se bulevardi do të ketë gjithsej gjashtë korsi, shteg për biçikleta, trotuare dhe gjelbërim në mes të korsive.
Sipas Mexhitit, realizimi i projektit do të kushtojë rreth 10 milionë euro, prej të cilave 3 milionë janë paraparë për shpronësim. “Ky është një nga projektet më kritike për komunikacionin në Shkup. Ka projekt urbanistik, studim për shpronësim dhe ky proces ka filluar, por ka munguar vullneti nga Qyteti i Shkupit. Shpronësimi kap vlerën e rreth 3 milionë eurove, ndërsa ndërtimi 7 milionë euro. Pra, afërsisht 10 milionë euro është zgjidhja për këtë problem jetik të qytetit”, u shpreh ai.
Mexhiti theksoi se asnjë shtëpi nuk do të prishet, ndërsa disa tarraca do të shpronësohen me kompensim. “Qytetarët nuk do të mbeten të dëmtuar dhe pa dëmshpërblim. Bulevardi do të ketë 6 korsi, gjelbërim, stazë biçikletash dhe do të jetë plotësisht i ndriçuar”, tha mes tjerash kandidati i VLEN-it.(INA)