Zëvendëskryeministri i parë, Arben Fetai, përmes një postimi në Facebook hapjen e shtabit zgjedhor të VLEN-it në Sllupçan, e ka cilësuar si “Shtabin e Fitores” për kandidatin për kryetar të Komunës së Likovës, Nexhmedin Sadikun.
“Sonte në Sllupçan, në zemër të Likovës, hapëm Shtabin e Fitores për Nexhmedin Sadikun. Likova foli. Mashtrimet nuk pinë më ujë. Ky popull tha mjaft! Ndryshimi ka nisur dhe nuk ndalet më. Likova do kryetar të popullit, jo kryetar të xhepit”, shkroi Fetai.
Ai tha se BDI-së i ka mbaruar koha dhe se përpjekjet e saj për t’u rikthyer në pushtet përmes Arben Taravarit dhe disa ish-bashkëpunëtorëve që iu bashkuan Ali Ahmetit kanë dështuar.
“Koha e tyre ka mbaruar. Ka filluar koha jonë, koha e banorëve të Hotlës, Likovës, Llojanit, Mateçit, Nikushtakut, Opajës, Orizares, Ropalcës, Vishticës dhe Vaksincës. Besoj te kjo kauzë, besoj te Nexhmedin Sadiku. VLEN-i ka Nexhën. Nexha ka Likovën”, ka përfunduar Fetai.