Kandidati për Komunën e Çairit, njëherit zv. kryeministër Izet Mexhiti, ka theksuar se prioriteti i tij kryesor do të jetë përkujdesja dhe arsimi cilësor për fëmijët që nga hapat e parë të jetës.
Ai rikujtoi se Çairi është komuna më dinamike në vend, me dendësinë më të madhe të popullsisë dhe natalitetin më të lartë, gjë që, sipas tij, përbën një pasuri të madhe, por edhe një përgjegjësi të madhe.
“Me hapjen e çerdhes më të madhe në shtet, ‘Bambi’, me kapacitet për 360 fëmijë, kemi dëshmuar se Çairi udhëheq në krijimin e standardeve të reja. Vendimet për ndërtimin e dy çerdheve të tjera, ‘Borëbardha’ dhe ‘Vesëza’, secila me kapacitet për 300 fëmijë, e forcojnë edhe më shumë këtë vizion,” tha Mexhiti.
Ai theksoi se vetëm në këto tri çerdhe do të ofrohet kujdes për rreth 1.000 fëmijë, duke zgjidhur përfundimisht mungesën e kapaciteteve për edukimin parashkollor.
Sipas tij, ky projekt do të sigurojë infrastrukturë moderne, zhvillim cilësor, barazi dhe përfshirje për çdo fëmijë, si dhe kushte të dinjitetshme pune për edukatoret.
“Ky është investim në kapitalin njerëzor, në familjet tona dhe në të ardhmen e Çairit. Sot punojmë me vizion afatgjatë dhe përgjegjësi ndaj brezave që vijnë. Çairi do të jetë shembull i përkujdesjes moderne dhe gjithëpërfshirëse, ku çdo fëmijë ka vendin e tij dhe çdo familje mbështetjen që meriton. Sepse fëmijët tanë VLEJNË,” u shpreh Izet Mexhiti.