Në konferencën “Business Leader”, që mblodhi udhëheqës biznesi dhe sipërmarrës nga e gjithë Maqedonia, fjalim mbajti ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, duke prezantuar prioritetet reformuese të qeverisë në fushën ekonomike dhe të tregut të punës.
“Plani operativ i punësimit 2025, me buxhet historik prej 2,5 miliardë denarësh, përfshin mbi 16.000 qytetarë”, deklaroi Durmishi. Ai theksoi se këto masa do të stimulojnë sipërmarrësinë, do të rrisin punësinë dhe do të krijojnë kushte që të rinjtë të ndërtojnë të ardhmen e tyre në vend.
Ministri njoftoi gjithashtu për ndryshimet ligjore që pritet të sjellin stabilitet në tregun e punës. “Ligji i ri i Punës do të hyjë në fuqi më 1 janar 2026 dhe do të zvogëlojë punën informale, duke ofruar më shumë siguri për punëtorët dhe kushte më të favorshme për punëdhënësit”, tha Durmishi, duke theksuar se kombinimi i reformave dhe masave konkrete është çelësi për një ekonomi më konkurruese.