Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, në një intervistë për Radio Televizionin Shqiptar (RTSH), ka folur për mandatin e tij katërvjeçar dhe sfidat që ka hasur në drejtimin e komunës.
Ai tha se gjendja në të cilën e ka marrë Tetovën ka qenë e rënduar, me borxhe të shumta dhe problem të madh të mbeturinave, mungesë të ujit për pije, si dhe infrastrukturë shumë të dobët rrugore.
“Kur erdhëm në krye të komunës borxhi ishte 24 milionë euro, ne arritëm që ta përgjysmojmë këtë borxh dhe në të njëjtën kohë arritëm të realizojmë shumë projekte. Arritëm të stabilizojmë gjendjen me mbeturinat, tani Tetova është më e pastër”.
“Gjithashtu arritëm të stabilizojmë situatën me ujin e pijshëm. Tani Tetova ka 24 orë ujë të pijshëm, madje kemi çuar ujë edhe në lagjen ku ka munguar tërësisht”, tha Kasami.
Kasami paralajmëroi se mandati i ardhshëm do të fokusohet në zhvillim të madh ekonomik dhe në përfundimin e projekteve kapitale, duke i dhënë Tetovës vendin që meriton si qendër urbane e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.