Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, zhvilloi sot një takim me Forumin e Gruas të VLEN-it në Çairin e Vjetër, ku theksoi rëndësinë e përfshirjes së grave në proceset e vendimmarrjes.
“Gratë mbajnë mbi supe barrën e përditshme të jetës – kujdesin për familjen, sfidat e komunës, çerdhet, shkollat dhe infrastrukturën – por shpesh mbeten të padukshme në vendimmarrje. Kjo pabarazi është pasojë e një kulture politike që historikisht ka lënë jashtë zëra e perspektiva që u përkasin grave”, tha Mexhiti.
Ai shtoi se kur gratë janë të pranishme në tryezën e vendimmarrjes, ndryshojnë prioritetet, mënyra e të menduarit dhe rezultatet për shoqërinë. “Politika nuk mund të jetë e plotë pa përfshirjen e tyre. Ky është jo vetëm parim, por edhe angazhim im personal për ta bërë Çairin një vend ku gratë jo vetëm dëgjohen, por edhe udhëheqin”, theksoi kandidati i VLEN-it.
Mexhiti shprehu bindjen se shoqëria mund të ecë me hapa të sigurt përpara vetëm kur gratë të kenë hapësirën që meritojnë në politikë, institucione dhe në çdo fushë ku vendoset për të ardhmen e përbashkët.