Bekim Fazliu nga koalicioni VLEN sot në një konferencë për media ka deklaruar se opinioni është dëshmitar i një “aferë të madhe politiko-financiare”, që sipas tij ia ka hequr plotësisht maskën BDI-së dhe kryetarit të saj Ali Ahmeti.
Fazliu tha se heshtja e BDI-së është pranim i hapur i veprave, duke shtuar se tashmë janë publikuar fakte të pamohueshme për “lidhjen kriminale dhe anti-shqiptare Mijallkov–Ahmeti–Vuçiç”. “Familja e Ali Ahmetit, përmes kompanisë ‘AS Senjak’, më 17 shtator të këtij viti ka shitur një pako të madhe aksionesh tek Alta Banka e Beogradit, bankë nën kontroll të drejtpërdrejtë të regjimit të Aleksandar Vuçiçit. Derisa flasin për patriotizëm, familja e Ahmetit shet interesin ekonomik të fituar mbi kurrizin tonë dhe e fut ‘botën serbe’ në zemër të sistemit bankar të shtetit”, theksoi Fazliu.
Ai po ashtu bëri të ditur se këto aksione ishin blerë më 24 tetor të vitit 2024 nga Sasho Mijallkovi, për të cilin tha se është “njeriu i të gjitha skemave kriminale në Maqedoni”.
Sipas Fazliut, lidhja është e qartë. “Paratë e shefit sekret të policisë, Mijallkov, përmes familjes së Ali Ahmetit, përfundojnë në duart e regjimit të Vuçiçit. Kjo nuk është biznes, kjo është tradhti e interesave kombëtare shqiptare”, tha Fazliu.
Ai akuzoi Ali Ahmetin dhe BDI-në se heshtin dhe nuk japin përgjigje, ndërsa njëkohësisht kritikoi edhe partnerët e tyre politikë. “Asnjë funksionar i BDI-së nuk doli të thotë asnjë fjalë. Heshtin edhe Ziadin Sela dhe Arben Taravari. A nuk e dinin me kë po hynin në koalicion, apo e dinin dhe e aprovuan këtë aleancë me ‘botën serbe’?”, pyeti Fazliu.
Në fund, Fazliu deklaroi se BDI nuk është më parti e shqiptarëve, por “një kompani private për pasurim, që tani shërben si degë e interesave serbe në Maqedoni”. “Koha e gënjeshtrave ka mbaruar. E vërteta është para jush. Është koha e përgjegjësisë”, përfundoi Fazliu.