Nga Latif ARIFI
Në ditën e fundit të fushatës zgjedhore, Ali Ahmeti vendos të mos dalë para qytetarëve shqiptarë të Maqedonisë së Veriut.
BDI njoftoi zyrtarisht se ai do të anulojë aktivitetet dhe do të marrë pjesë në protestën e Tiranës në mbrojtje të UÇK-së. Por kjo nuk është mbrojtje e çlirimtarëve, është arratisje politike.
Sepse realiteti është i hidhur, shqiptarët këtu nuk kanë parë më shumë përçmim sesa nga vetë Ahmeti, i cili në konventën e fundit i quajti “zagarë”. Si t’i besosh një njeriu që, kur duhet të përballet me votuesit, ikën në Tiranë për të kërkuar oksigjen politik?
Historia nuk duhet harruar. Shumë komandantë të UÇK-së u vranë në rrethana të errëta, në kohën kur Ali Ahmeti ishte në pushtet. Njeriu i tij më i afërt, sot i shpallur non grata nga SHBA, ka qenë raportues i Tribunalit të Hagës, madje dëshmitar në hetimet famëkeqe për “shtëpinë e verdhë”. Dhe mos të harrojmë edhe vetë Ali Ahmeti ka dëshmuar para hetuesve ndërkombëtarë. Çfarë ka thënë, mbetet mister i errët.
Prandaj, pjesëmarrja e tij në Tiranë nuk është shenjë besnikërie ndaj UÇK-së, por shfaqje politike për të fshehur dështimin e tij këtu. Është përdorim i çështjes kombëtare si mburojë, është përpjekje për të harruar Soravinë, bizneset e fotovoltaikëve, pasurinë e akumuluar nga nipat e mbesat që kanë ngritur perandori në hije të pushtetit të tij.
Nëse dikush ende ka iluzione, le t’i kujtojë se kush tradhtoi dikur, tradhton edhe sot. Ali Ahmeti nuk shkon në Tiranë për drejtësi, por shkon për pushtet. Ai nuk mbron çlirimtarët , ai mbron interesat e klanit të vet.
Në këtë pikë, shqiptarët nuk kanë më luksin të mashtrohen. Pas 20 viteve, është bërë e qartë se Ali Ahmeti nuk ikën nga fushata për shkak të UÇK-së, por nga frika e gjykimit politik që ia bëjnë shqiptarët vetë.