Ali Ahmeti përdor UÇK-në për politikë, Vetëvendosje qëndron me drejtësinë
Reagim i Vetëvendosjes për protestën në Tiranë
Lëvizja VETËVENDOSJE! qëndron në krah të qytetarëve që protestojnë për drejtësi dhe mbrojtje të vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Tiranë. Qëndrimi ynë për Gjykatën Speciale mbetet i pandryshuar dhe i vendosur mbi parimin e drejtësisë dhe të vërtetës historike.
Kujtojmë se Gjykata Speciale nuk erdhi rastësisht. Ajo nisi në vitin 2008 me një rezolutë në Këshillin e Evropës të propozuar nga Konstantin Kosachev, kryesuesi i deputetëve të Federatës Ruse, dhe u miratua më vonë me propozim të senatorit Dick Marty në vitin 2011.
Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e domosdoshme. Pretendimet e Prokurorisë se brenda UÇK-së ka ekzistuar një “grup kriminal” janë të pasakta dhe të padrejta. UÇK-ja nuk ka qenë ndërmarrje kriminale dhe nuk ka pasur struktura të tilla. Përkundrazi, për krime të luftës duhet të gjykohet Serbia, shkaktarja e gjenocidit dhe krimeve masive ndaj popullit të Kosovës.
Reflektimi mbi qëndrimet ndaj kësaj gjykate është i domosdoshëm. Shumë nga ata që sot dalin kundër saj, dje ishin lobuesit më të mëdhenj për themelimin e saj. Para se të protestojnë, këta aktorë dhe politikanë duhet të tregojnë të paktën një minimum pendese për gabimet e së kaluarës. Një shembull i qartë është Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili kishte ardhur në Kosovë për të bindur palët të votonin pro themelimit të Gjykatës.
Vetëvendosje!, si në 2015, ashtu edhe sot në 2025, është e palëkundur: drejtësia duhet të ndriçojë të vërtetën, dhe e vërteta qëndron me luftën dhe përpjekjen e popullit të Kosovës për çlirim dhe pavarësi.
Institucionet e Shqipërisë, si shtet anëtar i OKB-së, Këshillit të Evropës, OSBE-së dhe NATO-s, kanë përgjegjësi që këtë çështje ta ngrejnë në forume ndërkombëtare, aty ku vendoset drejtësia, e jo në sheshin “Skënderbe” në Tiranë.
Po ashtu, shtetet mike të Kosovës duhet të bëjnë shumë më tepër për të mbrojtur të vërtetën e luftës dhe për të çuar përpara drejtësinë, duke përfshirë njohjen e gjenocidit dhe gjykimin e krimeve kundër njerëzimit që Serbia i ka kryer në Kosovë dhe rajon.