Nga ky muaj, çmimi për marrjen e patentës së shoferit B është rritur për gati 10.000 denarë, duke surprizuar dhe revoltuar kandidatët, raporton denar.mk.
Derisa më parë e gjithë trajnimi në auto-shkolla kushtonte rreth 24.000 denarë, tani çmimi është ngjitur në 34.000 denarë. Sipas rregullave të reja, çdo orë shtesë në poligon paguhet 250 denarë, që do të thotë se çdo orë shtesë pas timonit përbën një shpenzim ekstra për kandidatët.
Auto-shkollat shpjegojnë se rritja ishte e pashmangshme për shkak të kostove në rritje për karburant, mirëmbajtje të automjeteve dhe pajisje teknike, si dhe për shkak të rregulloreve të reja të ministrisë për transport, që kërkojnë standarde më të rrepta në mësimdhënie. “Nuk mund të punojmë me çmime të 10 viteve më parë, kur gjithçka rreth nesh është shtrenjtë”, thonë disa auto-shkolla në Shkup.
Megjithatë, pranojnë se shumë të rinj tani do të mendojnë dy herë para se të regjistrohen, sepse çmimi është bërë një barrë serioze për familjet mesatare në Maqedoni. Nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, jozyrtarisht theksohet se ndryshimet janë bërë për të përmirësuar cilësinë e trajnimit dhe për t’u përshtatur me standardet evropiane.
Në terren, kjo pak i ngushëllon kandidatët. Ata reagojnë se edhe më parë çmimi ishte i lartë, dhe tani “vetëm të pasurit mund të mësojnë të vozitin”.

