NËNA SHQIPTARE ISHTE ARKITEKTE E FITORES SË VLEN-IT
Rezultati elektoral i Koalicionit VLEN është më shumë se një numër votash, është një akt i thellë besimi që qytetarët shqiptarë, në të gjitha trevat, na dhanë si shprehje të qartë të lodhjes nga modeli i vjetër politik dhe si thirrje për një ndryshim real.
Vota që morëm është një mandat moral, institucional dhe historik që na obligon të qeverisim me përgjegjësi të lartë dhe me standarde të reja. Modeli që duhet të ndjekim është ai skandinav: secila dorë që prek shtetin, mban edhe votën e qytetarit për të cilën mban përgjegjësi.
Kjo votë, në shumë raste, është votë proteste, një energji e fuqishme politike, por edhe e brishtë, që kërkon prani të përhershme, profesionalizëm dhe rezultate të prekshme. Vota protestë është reagim ndaj padrejtësisë, ndaj nepotizmit, ndaj degradimit politik e moral të vlerave. Kjo votë duhet ruajtur si sytë e ballit, si amanet i atyre që sakrifikuan që ne sot të ndërtojmë një qeverisje që prodhon drejtësi, meritokraci dhe transparencë.
Në këtë proces, unë dua të ndalem tek një figurë që historikisht ka qenë themeli i qëndrueshmërisë sonë, gruaja shqiptare, nëna shqiptare.
Ajo është simboli i sakrificës së heshtur, i durimit të gjatë, i forcës morale dhe i barrës së dyfishtë familjare e shoqërore.
Nënat dhe gratë tona, përmes punës së tyre, përkushtimit ndaj fëmijëve dhe besimit të tyre të palëkundur tek e mira e përbashkët, ishin boshti i këtij mobilizimi politik. Ato ishin dera e parë ku hynte fjala e fushatës dhe shpirti i fundit ku digjej shpresa.
Në nentorët e lirisë sonë kombtare nëna shqiptare qendiste flamurin me duart që dridheshin nga dhimbja dhe krenaria. Sot, në nëntorin e fitores politike, ajo qendisi triumfin e VLEN-it një fitore që, ashtu si dikur flamuri, mban brenda gjakun, sakrificën dhe besimin e saj.
Historia jonë e njeh mirë faktin se aty ku vendos nëna, nuk gabon kombi.
Prandaj, le të shprehim një falënderim të veçantë e të përulur për çdo nënë, çdo grua shqiptare: për zërin e tyre, për votën e tyre, për durimin e tyre, për urtësinë e tyre. Pa to, kjo fitore nuk do të ishte e mundur.
Sot, më shumë se kurrë, Koalicioni VLEN duhet të artikulojë një unitet të vërtetë programor dhe institucional. Rezultati ynë, përfshirë zonat ku nuk ishim organizuar plotësisht dëshmoi se energjia politike e shqiptarëve është më e madhe se strukturat tona. Kalimi nga një fitore politike te një model i qëndrueshëm qeverisjeje kërkon harmonizim të mendimit, profesionalizim të institucioneve dhe ngritje të standardeve.
Slogani ynë “një zë” sot nuk është më slogan, por detyrim. Në rikonstruimin e qeverisë, ky zë duhet të mishërohet përmes kuadrove më të afta, më të denja dhe më të integruara profesionalisht.
Politika e së ardhmes nuk ndërtohet me afërsi personale, por me kompetencë dhe integritet.
Pas fitores së madhe të zgjedhjeve lokale, është koha të ndërtojmë struktura të qëndrueshme.
Qytetari i sotëm është racional, ai nuk fal mashtrimin dhe nuk toleron iluzionet. Detyrimi ynë është që votën protestë ta kthejmë në besim afatgjatë përmes rezultateve të matshme dhe të verifikueshme.
Në këtë rrugëtim, na udhëheq një parim i fuqishëm kuranor, që sintetizon thelbin e drejtësisë dhe meritokracisë:
“Allahu ju urdhëron t’ua besoni amanetin atyre që janë të denjë për të.” (Kuran 4:58)
Ky varg është busulla jonë morale. Amaneti i qytetarit është i shenjtë, dhe ai duhet t’u besohet atyre që e mbajnë me përgjegjësi dhe ndërgjegje të pastër.
VLEN-i ka mundësinë historike të kthejë aspiratat e shqiptarëve në realitet politik. Fitorja është e rëndësishme, por e ardhmja e saj varet nga puna jonë.
Dhe në këtë punë, ne nuk jemi vetëm, pas nesh qëndron vota, shpresa dhe sakrifica e grave dhe nënave shqiptare, ato që e kanë mbajtur këtë komb gjallë në kohët më të vështira dhe që sot i japin kuptim fitores sonë politike.
Fatmir Beqir Limani
Ministër i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë

