Zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë, Arben Fetai ka qenë nikoqir i manifestimit qendror të shënimit të 117 vjetorit të alfabetit të gjuhës shqipe.
Sot me aktivitete të shumta, madje u shënua Dita e Alfabetit, 22 Nëntori.
“U mblodhëm në Manastir, aty ku në vitin 1908 u përcaktua alfabeti i gjuhës shqipe dhe u vendos një prej themeleve më të rëndësishme të identitetit tonë modern”, thotë Fetai.
Prania e kryeministrit Albin Kurti dhe përfaqësuesve institucional nga mbarë hapësira shqiptare, sipas tij, konfirmoi edhe një herë se gjuha shqipe mbetet elementi ynë më i fortë i vetëdijes kombëtare.
“Ajo është më shumë se mjet komunikimi. Është orientimi ynë historik dhe evropian”, shton tutje Fetai.
Shton se detyra jonë është të vazhdojmë forcimin e kësaj trashëgimie përmes arsimit cilësor, kulturës së gjallë dhe institucioneve të përgjegjshme.
“Kjo është mënyra më e mirë për ta nderuar vizionin e delegatëve të vitit 1908 dhe për ta çuar përpara amanetin e tyre”, nënvizon zv/kryeministri Fetai.

