Albi Qamili emërohet Zëvendës Kryetar i Komunës së Tetovës, Kasami: Do të jetë krah i fuqishëm për realizimin e projekteve në të mirë të qytetarëve
Albi Qamili do të jetë Zëvendës Kryetar i Komunës së Tetovës, me vendim të kryetarit Bilall Kasami, i cili sot edhe zyrtarisht e nënshkroi këtë vendim.
Kasami para mediave tha se Albi Qamili do të jetë një krah i fuqishëm i tij për realizimin e projekteve në të mirë të qytetarëve. Ai gjithashtu theksoi se Qamili ka qenë një ndër aktivistët për të spikatur të rinisë tetovare, i cili ka kontribuar për ndryshimet në Tetovë.
“Albi Qamili është ndër aktivistët më të spikatur të rinisë tetovare, i cili ka dhënë kontribut të rëndësishëm për ndryshimet që kanë ndodhur në Komunën e Tetovës. Për mua si kryetar, duke pasur angazhimet edhe jashtë Komunës së Tetovës, do të jetë një krah i fuqishëm dhe lehtësim, që qytetarëve t’iu shërbejmë pa vonesa dhe pengesa. Besoj që Albi Qamili do të jetë krah i fuqishëm në drejtim të realizimit të projekteve në të mirë të qytetarëve të Tetovës”, tha Kasami.
Ndërsa zv.kryetari i ri Albi Qamili, tha se këtë detyrë do ta kryejë me përgjegjësi, duke pasur parasysh besimin dhe pritshmëritë e qytetarëve.
“Po e marr këtë detyrë me shumë përgjegjësi dhe mirënjohje. Vërtetë është kënaqësi të jesh i dyti aty ku Bilall Kasami është i pari. Unë ju siguroj se këtë detyrë do ta kryej me përgjegjësi, duke pasur në mendje besimin tuaj, pritshmëritë dhe prioritetet tuaja dhe platformën tonë fituese për Kapitullin e Dytë për zhvillimin e Tetovës”.
“Kam kënaqësinë që do të kem rastin të kontribuoj për një Tetovë edhe më të mirë, edhe më të zhvilluar, më të pastër dhe më funksionale, edhe si këshilltar, por tashmë edhe si Zëvendës Kryetar i Komunës. Transformimi i Tetovës, që filloi para katër vitesh me Bilall Kasamin në krye, duhet të vazhdojë edhe më fuqishëm në mandatin e dytë të kryetarit më të suksesshëm dhe më punëtor që ka pasur Tetova ndonjëherë. Faleminderit dhe mirë u takofshim me shumë punë të mira për Tetovën”.

