Lidhja e Luftëtarëve të Aleancës nacional-çlirimtare dhe anti-fashiste ka reaguar për zgjedhjen e Albi Qamilit si zv.kryetar i Komunës së Tetovës.
Ata thonë se “ky hap është majorizim etnik i Komunës së Tetovës, me të cilin nuk kultivohet një shoqëri civile gjithëpërfshirëse”.
“Edhe pse deri para ca kohësh Bilal Kasami trokiste në të gjitha dyert duke kërkuar një zë, duke folur maqedonisht dhe duke premtuar një qasje të re, pikërisht me propozimin e tij u zgjodh një zëvendëskryetar komune shqiptar pa shpjegime të mëtejshme. Ne pyesim se çfarë kualifikimi i mungon Dr. Branislav Svetozarevic për të kryer për detyrat e Zëvendës Kryetarit të Komunës? Pse koalicionet e nevojshme në nivel qendror nuk pasqyrohen me përfaqësim parimor në nivel lokal?”, thonë ata në njoftim.
Ata gjithashtu kanë reaguar për programin e festimit të festave të nëntorit, ndërsa thonë se është harruar gjuha maqedonase.
“Ne reagojmë edhe ndaj programit për shënimin e muajit nëntor, kur shpenzohen para dhe burime publike në ditën e flamurit shqiptar dhe ditën e alfabetit shqip, dhe gjuha maqedonase harrohet, kështu që të gjitha njoftimet për të janë ekskluzivisht në shqip”, thonë ata në reagim.
Ndryshe, ditë më parë kryetari i Tetovës Bilall Kasami, e emëroi si zëvendës të tij Albi Qamilin, hap ky që nuk është mirëpritur nga nacionalistët maqedonas.

