8 C
Tetovo
E hënë, 8 Dhjetor, 2025
BallinaLajmeTetova do të zbukurohet për festat e fundvitit

Tetova do të zbukurohet për festat e fundvitit

Pasi që disa vite me radhë qyteti i Tetovës nuk ishte zbukuruar për festat e fundvitit, këtë vit autoritetet e Komunës së Tetovës kanë vendosur që të zbukurojnë qytetin. Pritjet janë që atmosfera festive këtë vit të jetë në nivel në qytetin që disa vite me radhë ishte lënë në terr për festat në fund të vitit. Kjo vjen për shkak të shumë reagimeve të qytetarëve të Tetovës të cilët kishin kritikuar autoritetet e Komunës së Tetovës se nuk kishin bërë asnjë zbukurim për fundvit. Arsyetimi i Komunës së Tetovës në atë kohë ishte se qyteti nuk zbukurohej për shkak të mungesës së financave.

Edhe pse nuk janë dhënë shumë detaje për mënyrën e zbukurimit, megjithatë konfirmimi për këtë ka ardhur nga Komuna e Tetovës. Sipas zëvendëskryetarit të Komunës së Tetovës, Albi Qamili, për momentin janë duke u grumbulluar ofertat dhe më pas do të shihet edhe mënyra e financimit. “Do të ketë zbukurim të qytetit për festat e fundvitit. Jemi duke mbledhur ofertat nga kompani të ndryshme, që më pas të shohin edhe mënyrën se si do të bëhet financimi i së njejtës”, deklaroi zëvendëskryetari i Komunës së Tetovës, Albi Qamili.

Zbukurimi i qytetit të Tetovës për festat e fundvitit, krahas ringjalljes po ashtu pritet të ketë edhe përfitime ekonomike për bizneset e vogla që funksionojnë brenda në qytet dhe jo vetëm. Kjo, pasi që në atë periudhë kthehen edhe mërgimtarët në vendlindje, dhe kjo do të ketë impakt edhe në mbijetesën e bizneseve të vogla.

Nga ana tjetër, qytetarët e Tetovës janë shprehur se zbukurimet për festat në fund të vitit japin një imazh tjetër qytetit duke i dhënë edhe gjallëri jetës në pjesën qendrore dhe jo vetëm. Komuna e Tetovës me moszbukurimin e qytetit në vitet e mëparshme ishte kritikuar edhe nga sektori i biznesit pasi që pjesa dërmuese e qytetarëve vendosnin që për festat e fundvitit të udhëtonin për në Shkup, Prishtinë, Tiranë, Ferizaj, Prizren e kështu me radhë. Kjo kishte shkaktuar humbje të mëdha për gastronominë dhe pjesën tjetër të biznesit, madje disa biznese ishin mbyllur për fundvit shkaku i mungesës së njerëzve të cilët kishin udhëtuar në vendet tjera fqinje.

“Është mirë që të zbukurohet sepse ka më shumë gjallëri, ka më shumë lëvizje dhe më shumë punë. Vitet e kaluara ka qenë shumë keq, sepse banorët e Tetovës kanë shkuar për të festuar në Prishtinë apo qytete tjera të Kosovës, ose në Shqipëri, dhe Tetova mbeti e zbrazët dhe nuk kemi pasur punë aspak. Shpresojmë që këtë vit të zbukurohet dhe qytetarët e Tetovës të festojnë në vendin e tyre”, thotë një tregtar që vepron në pjesë qendrore të qytetit të Tetovës.

Disa vite të kaluara edhe pse qyteti nuk zbukurohej, megjithatë mijëra qytetarë dilnin në shesh për të festuar por në mënyrë të paorganizuar që krijonte kaos të madh. (koha.mk)

Artikuj të ngjashëm
- Advertisment -spot_img

TË FUNDIT

Recent Comments