Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, së bashku me ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kanë vizituar Pikë Kalimin Kufitar Dheu i Bardhë, një nga pikat kryesore të hyrjes në Kosovë, në prag të rritjes së fluksit të mërgimtarëve.
Gjatë vizitës, Hyseni dhe Sveçla u takuan me zyrtarë policorë, nga të cilët u informuan për përgatitjet e ndërmarra për menaxhimin e pritjes dhe qarkullimit të mërgimtarëve që po vijnë në vend për pushimet e fundvitit.
Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, theksoi se vizita kishte për qëllim të sigurohet që të gjitha institucionet janë të gatshme për përballimin e fluksit të shtuar në këtë pikë kufitare, përcjell Telegrafi. Ai uroi mërgimtarët për ardhjen në atdhe, duke thënë se janë gjithmonë të mirëpritur në shtëpitë e tyre.
Edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaroi se gjatë vizitës u njoftuan nga afër me masat dhe përgatitjet operative të Policisë së Kosovës për këtë periudhë. Ai shtoi se pati rastin të takojë edhe mërgimtarë që sapo kishin hyrë në Kosovë, duke i uruar mirëseardhje në atdhe.
Institucionet kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë koordinimin për të siguruar qarkullim më të lehtë dhe shërbime sa më efikase për qytetarët dhe mërgimtarët në pikat kufitare. /Telegrafi/

