8 C
Tetovo
E diel, 21 Dhjetor, 2025
BallinaLajmeReagime dhe pakënaqësi brenda BDI-së pas Kongresit partiak

Reagime dhe pakënaqësi brenda BDI-së pas Kongresit partiak

Pas përfundimit të Kongresit të Pestë të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), reagime të forta kanë ardhur nga disa eksponentë të njohur të kësaj partie, të cilët kanë shprehur publikisht pakënaqësinë e tyre lidhur me përzgjedhjen e kryesisë së lartë dhe mënyrën e shpalljes së reformave partiake, përcjell INA.

Një nga zyrtarët e BDI-së në Tetovë dhe ish-sekretari shtetëror i Kulturës, Valmir Aziri, ka kritikuar ashpër procesin e Kongresit, duke vënë në dyshim thellësinë dhe sinqeritetin e reformave të shpallura. Sipas tij, Kongresi u mbyll me “duartrokitje të organizuara”, ndërsa reformat u konsideruan të përfunduara pa një analizë reale, pa llogaridhënie dhe pa ballafaqim me dështimet e deritanishme.

Aziri thekson se figurat e prezantuara si “të reja” nuk janë rezultat i një procesi demokratik, por thjesht vazhdimësi e rrotacionit të brendshëm partiak. “E reja u paketua me fjalë, por përmbajtja mbeti e vjetër”, ka shkruar ai, duke shtuar se ndryshimi i emrave nuk mjafton për të rikthyer besimin e qytetarëve, i cili, sipas tij, ndërtohet vetëm përmes llogaridhënies reale dhe ndryshimit thelbësor në mënyrën e të bërit politikë.

Reagim ka pasur edhe një emër i njohur i BDI-së nga Komuna e Çairit, Abdul Selam Selami. Në një shkrim publik, Selami përmes një porosie në rrjetet sociale ka përcjell pakënaqësinë e tij. “Shkelni, shkelni, shkelni me dy këmbë, se keni gjet! Por populli lexon mirë dhe asnjëherë nuk gabon!”, ka shkruar ai.

Ndërkohë, ish-zëvendëskryeministri nga radhët e BDI-së, Festim Halili, ka ofruar një analizë më të gjerë mbi vendimet e marra në Kongres. Duke uruar mandatin e ri të kryetarit Ali Ahmeti, Halili ka shprehur shpresën që ky mandat të shërbejë si moment reflektimi politik dhe moral për partinë. Ai ka kritikuar avancimin e individëve pa peshë meritokratike në pozita kyçe, veçanërisht në Tetovë, duke theksuar se shumë figura me kontribut real janë lënë jashtë proceseve vendimmarrëse.

Halili ka theksuar gjithashtu mungesën e llogaridhënies për humbjet në katër cikle zgjedhore radhazi, duke bërë thirrje për rikthimin e meritokracisë, dëgjimin e zërave kritikë brenda partisë dhe krijimin e hapësirës për kuadro që kanë dëshmuar me vepra.

Këto reagime sinjalizojnë mospajtime serioze brenda strukturave të BDI-së, por që ditët në vijim Ahmeti pritet të diskutoj me të gjitha palët e pakënaqura.(INA)

Artikuj të ngjashëm
- Advertisment -spot_img

TË FUNDIT

Recent Comments