Nga TAV Maqedoni njoftojnë se për shkak të mjegullës, e cila edhe sot, më 21 dhjetor 2025, është e pranishme në luginën e Shkupit, në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit ka ulje të dukshmërisë, gjë që rezultoi që, në periudhën nga ora 00:00 deri në ora 12:00, kompanitë ajrore të anulojnë 20 fluturime dhe të riorientojnë 1 fluturim, përcjell TV21. Pas orës 11:00 kanë ateruar avionët nga Dortmundi dhe Vjena, ndërsa aktualisht pritet të fluturojë avioni për Hamburg.
Sipas parashikimit të motit që na vjen nga Shërbimi Meteorologjik i M-NAV, ulja e dukshmërisë pritet edhe për pjesën tjetër të ditës, si dhe gjatë ditës së nesërme.
“Megjithatë, duke marrë parasysh se kushtet e motit ndryshojnë vazhdimisht dhe çdo kompani ajrore ka pragun e vet të tolerancës për dukshmëri të reduktuar, bëjmë apel te të gjithë pasagjerët të ndjekin informacionet dhe udhëzimet për fluturimet e tyre që i marrin nga kompania e tyre ajrore. Për pasagjerët dhe publikun, përsërisim – Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit nuk është i mbyllur. Aeroporti është i hapur, pavarësisht kushteve të motit. Personeli ynë, me pajisjet dhe sistemet aeroportuale, është i gatshëm të shërbejë si avionët, ashtu edhe pasagjerët. Dëshirojmë të sqarojmë se aeroporti mbyllet vetëm me vendim të veçantë, kur dërgohet një njoftim ajror NOTAM për të gjithë aktorët në aviacion, dhe kjo bëhet vetëm në situata të jashtëzakonshme, kur ndonjë kapacitet i aeroportit i lidhur me shërbimin e avionëve nuk funksionon, ose në rast të një gjendjeje të jashtëzakonshme të përgjithshme. Në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, të gjitha kapacitetet janë në funksion, prandaj jemi të hapur për trafikun ajror. Në të gjitha rastet me mjegull, Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit nuk mbyllet, por qëndron i hapur. Ne presim që Shërbimi Meteorologjik i M-NAW, si institucioni përgjegjës për sistemet e navigacionit në aviacion, të na informojë për përmirësim të kushteve të motit – si ne si operator aeroportual, ashtu edhe kompanitë ajrore, të cilat vendosin pilotët nëse do të aterojnë apo do të riorientohen në një aeroport tjetër, varësisht nga dukshmëria minimale që kompania ka vendosur si të pranueshme”, thonë nga TAV-Maqedoni.
Nga TAV-Maqedoni thonë se personeli i aeroportit punon 24/7, pulti i informacionit është i gatshëm të përgjigjet në të gjitha pyetjet lidhur me ndryshimet në orarin e rregullt të fluturimeve, si fizikisht, ashtu edhe në linjën telefonike +389 2 3148 333.

