8 C
Tetovo
E mërkurë, 31 Dhjetor, 2025
BallinaLajmeÇfarë ndodhi përgjatë vitit 2025 në Maqedoninë e Veriut?
- Advertisment -spot_img

Çfarë ndodhi përgjatë vitit 2025 në Maqedoninë e Veriut?

Sot viti 2025 po mbyllet si një nga vitet me përplotë ngjarje, sfida, e ndodhi për Maqedoninë e Veriut. Një vit që filloi me pritshmëri pak muaj më vonë u bë lajm global me tragjedinë e Koçanit. Ky vit u zhvillua nën tensione politike e ekonomike dhe u kurorëzua me zgjedhje lokale që testuan jo vetëm partitë politike, por edhe besimin e qytetarëve në demokracinë vendore, shkruan Zhurnal.

Viti nis me pritje dhe pakënaqësi të heshtur –

Muajt e parë të vitit u karakterizuan nga një klimë e rënduar socio-ekonomike si zakonisht ku rritja e çmimeve, pasiguria energjetike dhe skepticizmi ndaj reformave dominon në bisedat dhe hallet e përditshme. Diskutimi për integrimin evropian mbeti i pranishëm, por gjithnjë e më shumë qytetarët shprehën lodhje nga premtimet e parealizuara dhe një ndjenjë se politika po largohej nga realiteti i përditshëm.

Mars ishte muaji i tragjedisë së Koçanit, ngjarje që ndryshoi diskursin publik –

Zjarri tragjik në klubin e natës në Koçan në mars u shndërrua në pikën më të errët të vitit. Përtej humbjes së jetëve së 63 të rinjve dhe 200 të plagosur, kjo ngjarje u perceptua si simbol i dështimit institucional neglizhencë, korrupsion, mungesë kontrolli dhe papërgjegjësi. Protestat qytetare dhe reagimi i shoqërisë civile shënuan një kthesë qytetarët kërkuan jo vetëm drejtësi për viktimat, por edhe ndryshim rrënjësor të mënyrës së qeverisjes.

Vera pushim dhe përgatitje për zgjedhje lokale –

Pas tragjedisë së Koçanit, diskursi politik ndryshoi. Partitë filluan të pozicionohen për zgjedhjet lokale të vjeshtës, ndërsa temat e sigurisë publike, urbanizmit, transparencës komunale dhe llogaridhënies dolën në plan të parë. Kryetarët e komunave u shndërruan në figura kyçe të debatit publik pasi qytetarët gjithnjë e më shumë e lidhën cilësinë e jetës së tyre me qeverisjen lokale. Por, nuk mungoi as gjuha nacionaliste.

Në këtë periudhë, vendi përjetoi edhe momente pozitive si organizimi i Festivalit Olimpik Evropian të Rinisë (EYOF 2025) i dha një imazh ndryshe Maqedonisë së Veriut një vend që, pavarësisht krizave, di të organizojë të bashkëpunojë dhe të frymëzojë brezat e rinj.

Vjeshta ishte e nxehtë përshkak të zgjedhjeve –

Zgjedhjet lokale të vitit 2025 u shndërruan në më shumë se një garë për komuna. Ato u perceptuan si referendum politik i heshtur për qeverisjen qendrore, për mënyrën se si u menaxhuan krizat dhe për besueshmërinë e elitave politike.

Pjesëmarrja e qytetarëve, dinamika e fushatës dhe rezultati në komunat kyçe treguan disa trende të qarta ku kishte rritje të ndëshkimit elektoral ndaj pushtetit lokal të perceptuar si joefikas, kërkesë për figura më pragmatike dhe më pak partiake si dhe forcim të rolit të çështjeve lokale mbi narrativat ideologjike.

Zgjedhjet konfirmuan se politika lokale po bëhet fusha kryesore e testimit të demokracisë, aty ku qytetari e sheh drejtpërdrejt rezultatin ose dështimin e premtimeve. Prandaj, edhe kështu vepruan, BDI nga 10 komuna në vitin 2021 ngeli vetëm me tri në vitin 2025. VLEN nga pushteti qendror arriti të fitojë një numër të madh të komunave. Në kampin maqedonas nuk ka pasur ndryshime drastike.

Dhjetori i ftohtë nga xhepat e deri te ngrohja –

Mbyllja e vitit u shoqërua me sfida energjetike dhe debate për stabilitetin ekonomik, por edhe me një reflektim më të thellë shoqëror. 2025 nuk ishte vit i madh i reformave, por ishte vit i ndërgjegjësimit kolektiv se pa institucione funksionale, pa përgjegjësi dhe pa përfshirje qytetare, as integrimi evropian dhe as zhvillimi lokal nuk mund të jenë realitet.

Megjithatë, rritja e çmimeve të produkteve bazë, rritja e çmimit të energjisë elektrike la shenja të rënda në përditëshmërinë e qytetarëve të cilët hall e brengë e kishin dhe kanë se me çka dhe si do të ngrohen përkundër temperaturave të ulëta të dimrit.

Kujtojmë që, viti 2025 nuk ishte vit i zakonshëm pasi ishte vit që tregoi se tragjeditë zbulojnë të vërteta, zgjedhjet nxjerrin në pah pakënaqësitë, ndërsa shpresa mbetet e lidhur me gatishmërinë për ndryshim. Maqedonia e Veriut e mbyll këtë vit më e lodhur, por ndoshta edhe më e vetëdijshme për atë që nuk duhet të përsëritet në vitin që vjen. /Zhurnal.mk

Artikuj të ngjashëm
spot_img
- Advertisment -spot_img

TË FUNDIT

Recent Comments