Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami është shprehur se viti 2026 është një vit i rëndësishëm për drejtimin dhe të ardhmen e Komunës së Tetovës. Në kuadër të vizionit “Tetova 2026”, Kasami thotë se ka përcaktuar qartë prioritetet mbi të cilat do të ndërtohet zhvillimi i qytetit të Tetovës. Kasami thekson se ky vizion mbështetet në tre shtylla strategjike, të orientuara drejt nevojave reale të qytetarëve dhe sfidave të kohës. Si prioritet i parë, për Kasamin është hapja e Qendrës Kulturore Rinore.
“Së pari, hapja e Qendrës Kulturore Rinore. Një hapësirë e re për të rinjtë tanë, ku kreativiteti, kultura dhe pjesëmarrja aktive do të kenë mbështetje konkrete. Sepse besojmë se investimi te të rinjtë është investim në të ardhmen e Tetovës”, thotë kryetari i Tetovës, ndërsa paralajmëroi krijimin e sektorit të mjedisit dhe energjetikës.
“Së dyti, krijimi i Sektorit të Mjedisit dhe Energjetikës, në përputhje me Agjendën e Gjelbër. Ky sektor do të jetë shtyllë e rëndësishme për një Tetovë më të pastër, më të shëndetshme dhe më efikase në përdorimin e energjisë, duke menduar për brezat e sotëm dhe ata që vijnë”, sqaron Kasami. Ndërkohë, një angazhim më të theksuar do të ketë edhe për digjitalizimin e shërbimeve komunale.
“Së treti, digjitalizimi i shërbimeve publike. Një administratë moderne duhet të jetë transparente, e shpejtë dhe funksionale. Përmes digjitalizimit, shërbimet komunale do të jenë më të afërta me qytetarët dhe më të lehta për t’u përdorur”, shprehet kreu i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami. Ai më tej thotë se këto angazhime për këtë vit nuk janë vetëm premtime, por edhe do të konkretizohen. “Këto tri shtylla nuk janë vetëm plane në letër. Ato janë angazhimi ynë konkret për vitin 2026 dhe për një Tetovë që ecën përpara me vizion, përgjegjësi dhe besim në të ardhmen”, thotë mes tjerash Kasami.




