Për herë të parë, të gjithë të punësuarit në arsimin fillor të Komunës së Tetovës, të cilët kanë 10, 20, 30 dhe 40 vite përvojë pune, janë shpërblyer me pagë jubilare. Ky hap i rëndësishëm përfaqëson një vlerësim konkret dhe të merituar për përkushtimin, punën dhe kontributin shumëvjeçar të mësimdhënësve dhe stafit arsimor.
Kjo iniciativë është dëshmi e qartë e angazhimit tonë për ndërtimin e një arsimi cilësor dhe të qëndrueshëm, ku puna dhe përvoja profesionale vlerësohen me dinjitet. Përmes këtij vendimi, Komuna e Tetovës po krijon një sistem më të drejtë dhe motivues për të gjithë të punësuarit në arsim, duke forcuar rolin e tyre në zhvillimin e brezave të rinj.
Vlerësimi i punës shumëvjeçare nuk është vetëm shpërblim financiar, por edhe një mesazh respekti ndaj atyre që për dekada kanë kontribuar në edukimin dhe formimin e nxënësve. Investimi në mësimdhënës është investim në të ardhmen e shoqërisë sonë.
Gjatë vitit 2026, paga jubilare do t’u ndahet edhe të gjithë të punësuarve në shkollat e mesme të Komunës së Tetovës, duke zgjeruar kështu këtë praktikë vlerësimi dhe duke përfshirë të gjithë sistemin arsimor në komunë.

