Kryeparlamentari, Afrim Gashi, ka zhvilluar sot një takim lamtumirës me Ambasadoren amerikane, Sh.S. Angela Aggeler, me rastin e përfundimit të mandatit të saj diplomatik në vend.
Gjatë takimit, Gashi vlerësoi lart angazhimin e ambasadores Aggeler, duke theksuar se ajo, përmes një qasjeje të hapur, parimore dhe konstruktive, ka dhënë kontribut të rëndësishëm në forcimin e besimit dhe bashkëpunimit të qëndrueshëm ndërmjet SHBA-së dhe institucioneve të vendit, përfshirë edhe Parlamentin.
Bashkëbiseduesit rikonfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera dhe partneritetin strategjik të palëkundur mes dy vendeve, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten aleati më i fuqishëm dhe një mik i dëshmuar në ruajtjen e stabilitetit, sigurisë, sundimit të ligjit, zhvillimit demokratik dhe luftës kundër korrupsionit.
Në përmbyllje, kryeparlamentari Gashi i shprehu ambasadores Aggeler falënderimet më të sinqerta për kontributin dhe gjurmën që ajo ka lënë në vend, duke i uruar suksese të mëtejshme në angazhimet e saj të ardhshme diplomatike.





