Drejtori i Postës së Maqedonisë së Veriut, Orhan Kurtishi, sot ka pritur në ambientet e Postës Shkëlqesinë e Saj, ambasadoren e Japonisë, znj. Kavahara Secuko.
Gjatë takimit, Kurtishi theksoi se Japonia, si shtet me përvojë të jashtëzakonshme dhe zhvillim të avancuar në fushën e shërbimeve postare, përfaqëson një model të shkëlqyer për t’u ndjekur. Në këtë kontekst, u diskutuan mundësitë konkrete për bashkëpunim dhe investime të mundshme, me qëllim rritjen e efikasitetit dhe efektivitetit të shërbimeve postare në vend.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua rëndësisë së partneritetit në përmirësimin e kushteve të punës për të punësuarit në Postë, si dhe procesit të digjitalizimit të shërbimeve postare, i cili u cilësua si hap i domosdoshëm drejt modernizimit dhe ofrimit të shërbimeve më cilësore për qytetarët.
Sipas Kurtishit, takimi ishte konstruktiv dhe hap perspektiva të reja bashkëpunimi dhe zhvillimi për Postën e Maqedonisë së Veriut, duke forcuar lidhjet institucionale mes dy vendeve dhe duke krijuar baza për projekte konkrete në të ardhmen.

