Përkundër insistimit të Arben Taravarit, megjithatë kryetari i BDI-së Ali Ahmeti do ta përfaqësojë opozitën shqiptare në takimin e liderëve me kryeministrin Mickoski.
Këtë e bëri të ditur zëdhënësja e BDI-së Arta Bilalli Zendeli pas mbledhjes së Këshillit Qendror të BDI-së.
Ajo tha se ka pasur debat të ashpër për disa orë lidhur me këtë çështje, por në fund është vendosur që Ahmeti të marrë pjesë në takim.
Sot paradite mediat raportuan se Taravari ka insistuar që edhe ai të marrë pjesë në takimin e liderëve, duke e konsideruar veten lider të opozitës shqiptare pas rezultatit në Gostivar dhe Vrapçisht. Sipas mediave, kryetari i ASH-së madje i ka vendosur kusht Ali Ahmetit “ose të dy, ose asnjëri”, por duket se Ahmeti nuk e ka pranuar kushtëzimin e Taravarit.
Pasi ngeli pa asnjë komunë urbane, Ahmeti ka vlerësuar se ky është momenti që ai dhe BDI-ja e tij të faktorizohen sërish në opinion, të paktën përkohësisht.

