8 C
Tetovo
E enjte, 15 Janar, 2026
BallinaLajmeShkup, zbulohet një kompani që kryente ilegalisht shërbime postare ndërkombëtare dhe kontrabandë...

Shkup, zbulohet një kompani që kryente ilegalisht shërbime postare ndërkombëtare dhe kontrabandë mallrash

Inspektorë doganorë nga Sektori i Hetimeve, në një aksion të koordinuar me MPB-në, DAP-in, Agjencinë e Postave dhe Inspektoratin Shtetëror të Tregut, kanë kryer kontroll në një kompani që kryente në mënyrë të paligjshme shërbime postare ndërkombëtare dhe kontrabandonte mallra, përcjell INA.

Në momentin e kontrollit u gjetën gjithsej 166 dërgesa postare me mallra të ndryshme, me vlerë totale prej rreth 240 mijë denarësh. Mallrat e kontrabanduara janë konfiskuar, ndërsa nga inspektorët është ngritur kallëzim penal ndaj një personi juridik dhe një personi fizik për veprën penale të fshehjes së mallrave që janë objekt kontrabande dhe mashtrim doganor, njoftoi Drejtoria e Doganave.

Konkretisht, kompania kryente shërbime postare ndërkombëtare pa licencë përkatëse, duke futur dërgesat postare me automjete përmes pikave kufitare, pa i paraqitur ato pranë organeve doganore. Më pas, dërgesat ruheshin në mënyrë të paligjshme në një magazinë në pronësi të kompanisë, me qëllim që prej aty të transportoheshin te porositësit, për çka do të arkëtohej pagesë monetare.

Drejtoria e Doganave thekson se do të vazhdojë me kontrolle të shtuara dhe aktivitete të koordinuara për të zbuluar dhe parandaluar të gjitha format e kontrabandës dhe veprimtarisë së paligjshme, për të mbrojtur interesat financiare të shtetit dhe për të siguruar kushte për konkurrencë të ndershme.(INA)

Artikuj të ngjashëm
- Advertisment -spot_img

TË FUNDIT

Recent Comments