Incidenti i ndodhur dje në Kodrën e Diellit ka nxjerrë në pah një problem serioz që shkon përtej një konflikti të zakonshëm në terren. Ajo që ndodhi nuk ishte thjesht një përplasje mes palëve, por një sfidim i drejtpërdrejtë i ligjit, institucioneve shtetërore dhe rendit juridik në një nga pasuritë më të çmuara natyrore të Maqedonisë së Veriut – Parkun Kombëtar Sharr.
Sipas njoftimit zyrtar të Institucionit Publik Parku Kombëtar Mali Sharr, personat zyrtarë kanë vepruar ekskluzivisht brenda kompetencave të tyre ligjore, duke kryer kontroll për zbatimin e rregullave lidhur me veprimtarinë e skijimit me makina ratrak jashtë qendrës së skijimit Kodra e Diellit. Kjo veprimtari, e rregulluar qartë me Planin e menaxhimit të Parkut, lejohet vetëm në kushte strikte dhe me respektim të plotë të procedurave dhe licencave përkatëse.
Megjithatë, gjatë këtij aksioni zyrtar, punonjësit e Parkut, përfshirë drejtorin, drejtuesin e sektorit për mbrojtjen e natyrës dhe rojtarët janë përballur me situata konfliktuale të shkaktuara nga persona të angazhuar nga operatori, sigurim privat, si dhe pronari i hotelit “Arena”, në prani të rreth 50 turistëve. Sipas institucionit, punonjësit janë penguar në kryerjen e detyrës zyrtare, janë fyer dhe janë vënë në rrezik serioz jeta dhe shëndeti i tyre.
Kulmi i shqetësimit vjen nga fakti se, edhe pse në orën 09:15 është kërkuar ndihmë policore përmes numrit 112, thirrje që regjistrohet dhe mund të verifikohet në vendngjarje nuk janë marrë masa konkrete ndaj personave përgjegjës, as nuk është ndaluar përdorimi i mëtejshëm i mjeteve. Ngjarja ka përfunduar me sharje, skandime dhe largim të lirë të të përfshirëve.
Akoma më alarmante është pagesa prej 300.000 denarësh e realizuar në orën 13:26 nga restoranti “Arena” në llogarinë e Parkut Kombëtar, e cilësuar si “avans për ushtrimin e veprimtarisë me ratrak”. Një pagesë e tillë, pa kontratë, pa faturë dhe nga një subjekt që nuk posedon licenca përkatëse, ngre dyshime serioze për tentativë presioni apo justifikimi të një veprimtarie të paligjshme pas faktit. Jo rastësisht, rasti tashmë është referuar edhe në Sektorin për Krim Ekonomik.
Ky incident kërkon përgjegjësi të qartë institucionale dhe një hetim të thelluar. Heshtja, mosveprimi apo relativizimi i ngjarjes do të krijonte një precedent të rrezikshëm: që ligji të zbatohet vetëm për të dobëtit, ndërsa interesat private të mbizotërojnë mbi pasurinë publike dhe sigurinë e punonjësve shtetërorë.
Parku Kombëtar Sharr nuk është pronë private dhe as arenë për demonstrim force. Ai është pasuri kombëtare dhe mbrojtja e tij është detyrim ligjor. Çdo sulm ndaj atyre që zbatojnë ligjin është sulm ndaj vetë shtetit. Ky rast nuk guxon të mbyllet pa përgjigje.

