Artisti tetovar Nexhbedin Hamzai, i njohur për publikun si Mister X, ka reaguar ashpër në rrjetet sociale lidhur me rritjen enorme të çmimit të peletit në Maqedoninë e Veriut, duke e cilësuar situatën si të padrejtë dhe të papërballueshme për qytetarët.
Sipas tij, çmimet e peletit në vend janë shumë më të larta krahasuar me shtetet evropiane. Ai ka publikuar informacione për çmimet aktuale në disa vende të Evropës, ku në Zvicër një ton pelet kushton nga 430 deri në 460 franga zvicerane, ndërsa në Gjermani çmimi mesatar sillet rreth 340 euro për ton.
Në krahasim me këto çmime, Mister X thekson se në Maqedoninë e Veriut çmimi i peletit ka pësuar rritje drastike, duke kaluar nga rreth 120 euro për ton në të kaluarën, deri në 530–550 euro për ton në disa pika shitjeje.
“EVN na doxhë, peleti na përzhajti”, shkruan ai, duke shtuar se në rrjetet sociale shihen pronarë kompanish që reklamojnë ardhjen e kamionëve të shumtë me pelet në Tetovë, ndërkohë që qytetarët përballen me çmime të papërballueshme.
Sipas artistit, përgjegjësia kryesore nuk është te tregtarët, por te institucionet shtetërore. Ai akuzon qeverinë për mungesë kontrolli të tregut dhe për korrupsion, duke theksuar se pa rregullim institucional, çmimet abuzive po rëndojnë drejtpërdrejt mbi qytetarët.
Në reagimin e tij, Mister X kritikon edhe diskursin për mbrojtjen e ambientit, duke thënë se qytetarëve u kërkohet të mos ndotin ajrin, ndërkohë që, sipas tij, “po u ndotet xhepi dhe shpirti”.
Reagimi i tij ka ngjallur komente dhe reagime të shumta në rrjetet sociale, ku shumë qytetarë shprehin pakënaqësi të ngjashme lidhur me çmimet e energjisë dhe mënyrën e ngrohjes gjatë sezonit dimëror.

