Zëvendësministri i Policisë, Astrit Iseni, ka njoftuar se sot është miratuar Ligji për kundërvajtje, duke hapur rrugën për fillimin e zbatimit të sistemit “Safe City” nga data 1 shkurt. Sipas Isenit, “Safe City” përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt rritjes së sigurisë rrugore dhe mbrojtjes së jetës së qytetarëve, duke vënë fund kaosit dhe papërgjegjshmërisë në komunikacion, që për vite me radhë kanë shkaktuar humbje jetësh njerëzore.
“‘Safe City’ nuk janë kamerat. ‘Safe City’ është jetë e shpëtuar. Është fundi i kaosit në rrugë dhe i papërgjegjshmërisë që ka marrë jetë njerëzish”, ka theksuar zëvendësministri Iseni.
Ai ka kritikuar qëndrimin e BDI-së ndaj këtij ligji, duke theksuar se nga deklarimet për mbështetje, kjo parti ka kaluar në kundërshtim dhe, sipas tij, sabotim të një ligji jetik për sigurinë publike, për arsye politike.
“Sot u pa qartë se për BDI-në, siguria publike vlen më pak se interesat partiake”, deklaroi Iseni, duke shtuar se kjo situatë tregon edhe mungesë kontrolli brenda vetë grupit parlamentar të kësaj partie.
Zëvendësministri i Policisë theksoi se VLEN dhe institucionet përgjegjëse nuk do të tërhiqen nga zbatimi i sistemit “Safe City”, pavarësisht kundërshtimeve politike.
“‘Safe City’ do të zbatohet, me ose pa BDI-në. Ne jemi në anën e qytetarëve dhe të sigurisë së tyre. Kush është kundër sigurisë, është kundër njerëzve”, përfundoi Iseni.

